Barcelona po përgatit një revolucion në merkaton e ardhshme, me synimin për të siguruar një sulmues të nivelit të lartë. Sipas raportimeve, drejtuesit katalanas po shqyrtojnë mundësinë e shitjes së tre futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës: Gavi, Alejandro Balde dhe Frenkie de Jong.
Drejtori sportiv, Deco, synon të përfitojë rreth 150 milionë euro nga largimi i tyre, shumë që do t’i shërbente klubit për të financuar një përforcim të rëndësishëm në repartin ofensiv.
Vlera e Gavit në tregun e transferimeve llogaritet rreth 50 milionë euro, ajo e Alejandro Balde në 40 milionë euro, ndërsa Frenkie de Jong vlerësohet në rreth 60 milionë euro. Në total, shitja e treshes mund t’i sigurojë Barcelonës shumën e kërkuar.
Objektivi kryesor për repartin ofensiv është Harry Kane. Sulmuesi anglez i Bayern Munich është një nga emrat që pëlqehet nga drejtuesit katalanas, të cilët dëshirojnë ta sjellin në “Camp Nou”.
Megjithatë, Barcelona nuk pritet të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e tij nëse Kane vendos të rinovojë kontratën me klubin bavarez, e cila përfundon në qershor të vitit 2027.
Kujtojmë se katalanasit tentuan edhe gjatë verës së kaluar të siguronin shërbimet e Julián Álvarez nga Atlético Madrid, por marrëveshja dështoi për shkak të refuzimit të klubit madrilen për të lejuar largimin e sulmuesit argjentinas.
