Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka refuzuar ftesën e Presidentit Bajram Begaj për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Në një letër drejtuar kreut të shtetit, Blushi e cilëson të papërshtatshëm këtë takim, duke argumentuar se vendi po përballet me një situatë të rëndë politike dhe institucionale.
Letra e Tedi Blushit për Presidentin Bajram Begaj:
I nderuar President!
U njoha me ftesën tuaj, por e konsideroj të papërshtatshme pjesëmarrjen në një konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, në një moment kur protesta dhe kërkesat legjitime të studentëve dhe gjimnazistëve janë kryeagjenda e Shqipërisë.
Ky konsultim formal bëhet edhe më i papranueshëm, veçanërisht, pas dhunës shtetërore barbare, gjakosjes dhe terrorizimit, si dhe rrëmbimeve e arrestimeve arbitrare dhe të paligjshme të studentëve dhe protestuesve. Shqipëria po përballet me një krizë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore, ndërsa dhuna ndaj të rinjve dhe represioni ndaj pluralizmit politik e bëjnë të domosdoshëm reagimin e institucioneve kushtetuese.
Përballë kësaj emergjence kushtetuese dhe kombëtare, përgjegjësia е institucionit të Presidentit të Republikës nuk mund të kufizohet në konsultime formale, por duhet të përqëndrohet në qëndrime të qarta, akte dhe veprime konkrete në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve.
Fatkeqësisht, institucioni i Presidentit të Republikës nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues, veçanërisht përballë dhunës shtetërore ndaj studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar. Në këto rrethana, një konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore është totalisht i pavend dhe i padobishëm.
Ajo që pritet prej jush është të përmbushni detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në një procedurë formale, që mund të përdoret për qëllime propagandistike nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë të krizës. Për këto arsye, ju bëj me dije se nuk do të marr pjesë në një konsultim formal me ju, të shkëputur nga urgjenca kushtetuese dhe kombëtare me të cilën përballet Shqipëria.
