Tragjedia në Spanjë gabim njerëzor apo boshllëqe sigurie? 23 minutat para përplasjes dhe urdhri
Tragjedia hekurudhore në provincën e Toledos, ku humbën jetën 69 persona pas përplasjes së dy trenave, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e transportit hekurudhor në Spanjë. Ndërsa qeveria dyshon se aksidenti erdhi si pasojë e gabimit njerëzor, sindikatat e punonjësve të hekurudhave denoncojnë mungesën e personelit, ngarkesën e lartë të punës dhe problemet e përsëritura në sistemet e sigurisë.
Sipas Associated Press, aksidenti i 28 tetorit, është tragjedia e dytë më vdekjeprurëse hekurudhore në Spanjë gjatë vitit 2026. Në janar, një tjetër aksident në zonën e Adamuzit, në provincën e Kordobës, u mori jetën 46 personave.
Shkaqet e përplasjes së fundit po hetohen nga autoritetet e drejtësisë dhe një komitet i posaçëm teknik. Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, është zotuar se do të zbardhen plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Edhe Mbreti Felipe VI, gjatë vizitës së tij te të plagosurit në Toledo të enjten, kërkoi që hetimi të përcaktojë me saktësi shkaqet e tragjedisë dhe të merren masa për të parandaluar aksidente të ngjashme në të ardhmen.
Si ndodhi aksidenti? Defekti në sistemin e sigurisë dhe minutat para përplasjes
Sipas të dhënave paraprake, zinxhiri i ngjarjeve që çoi në tragjedi nisi rreth orës 08:30 të mëngjesit të së mërkurës, kur u regjistrua një defekt në sistemin e komunikimit që mbështeste mekanizmin e sigurisë LZB në linjën hekurudhore Madrid-Sevilje.
Ky sistem monitoron pozicionin e trenave dhe mund të aktivizojë automatikisht frenimin në rast rreziku për të parandaluar përplasjet. Pas defektit, kontrollorët e trafikut në qendrën e Madridit morën përsipër menaxhimin e një segmenti prej 63 kilometrash të linjës, ku në atë moment ndodheshin gjashtë trena.
Në orën 08:36, një kontrollor urdhëroi një tren të kompanisë shtetërore RENFE të vijonte udhëtimin me shpejtësi normale. Ndërkohë, rreth 25 kilometra më tej, një tren i kompanisë private IRYO kishte mbetur i palëvizshëm, pasi drejtuesi i tij nuk kishte mundur të anashkalonte sistemin automatik të bllokimit.
Pavarësisht se makinisti i trenit IRYO kishte njoftuar qendrën e kontrollit për problemin, në orën 08:53 ndodhi përplasja. Si pasojë, disa vagonë dolën nga shinat dhe 69 persona humbën jetën.
Ministri i Transportit nën presion, pranon se u dha një urdhër i gabuar
Ministri i Transportit i Spanjës, Oscar Puente, është vënë nën presion pas aksidentit, ndërsa ndaj tij janë shtuar thirrjet për dorëheqje. Ai e cilësoi si “të pashpjegueshëm” dhe “të gabuar” vendimin për të lejuar trenin RENFE të vazhdonte udhëtimin, ndërkohë që në të njëjtën linjë ndodhej një tren tjetër i palëvizshëm. Sipas ministrit, urdhri për rinisjen e trenit nuk duhej të ishte dhënë, pasi sinjalistika vijonte të tregonte ndalim.
“U dha urdhri për të rinisur trenin, një vendim i gabuar”, deklaroi Puente, duke pranuar se lëvizja ishte lejuar pavarësisht pranisë së një sinjali të kuq.
Megjithatë, sindikatat kundërshtojnë që përgjegjësia të përqendrohet vetëm te kontrollori i trafikut. Sipas tyre, vendimi duhet të analizohet edhe në kontekstin e kushteve të punës dhe problemeve strukturore të sistemit hekurudhor.
Raquel Ayon, përfaqësuese e sindikatës së kontrollorëve të trafikut SCF, deklaroi për Associated Press se ngarkesa e punës është rritur ndjeshëm, ndërsa kërkesat për shtimin e personelit nuk janë marrë parasysh prej vitesh. Ajo kritikoi mënyrën se si po trajtohet përgjegjësia për aksidentin, duke argumentuar se punonjësit po përballen me kushte gjithnjë e më të vështira. “Gabimi njerëzor nuk është i pashpjegueshëm. Ajo që është e pashpjegueshme është se sistemi i sigurisë vazhdimisht keqfunksionon”, u shpreh Ayon.
Edhe sindikata e makinistëve të trenave SEMAF ka ngritur shqetësime për funksionimin e sistemit LZB, i cili përdoret prej rreth 30 vitesh dhe, sipas përfaqësuesve të saj, ka shfaqur vazhdimisht probleme operative. Zëdhënësi i sindikatës, Diego Martin, deklaroi se sistemi duhej të ishte zëvendësuar shumë kohë më parë, duke iu referuar edhe rasteve të mëparshme të defekteve.
Punonjësit e hekurudhave në grevë, kritika për publikimin e bisedave
Të enjten, punonjësit e hekurudhave zhvilluan një grevë, e cila ishte planifikuar përpara aksidentit. Ata kërkojnë zbatimin e angazhimeve të qeverisë për përmirësimin e kushteve të sigurisë, pas tragjedisë së janarit në Adamuz. Ndërkohë, përfaqësuesit sindikalë kanë kritikuar edhe publikimin në mediat spanjolle të regjistrimeve audio të komunikimeve mes makinistëve dhe qendrës së kontrollit. Ata e kanë cilësuar këtë veprim si të papërgjegjshëm, duke argumentuar se hetimi është ende në zhvillim dhe se publikimi i materialeve mund të ndikojë në procesin e zbardhjes së plotë të ngjarjes.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



