Gjirokastër, të rinjtë mësojnë zejet tradicionale. Programi “pas shkolle”, mundësi për të përcjellë mjeshtëritë artizanale
Punimet tradicionale, të trashëguara ndër breza, vijojnë të zgjojnë interes edhe te të rinjtë. Artizania Lizeta Hatika, e cila prej vitesh merret me punimet artizanale dhe transmetimin e këtyre njohurive, thotë se gjatë orëve që realizohen në shkolla në kuadër te programit “Pas shkolle “që po zbatohet edhe në shkollat e Gjirokastrës nxënësit kanë mundësi të ndjekin nga afër mësimet për artë dhe zeje.
“Ka filluar të praktikohet. Aktualisht, unë punoj në dy prej shkollave të qarkut të Gjirokastrës. Ka klasa me nga 20 nxënës, të cilët kanë mjaft interes për të mësuar rreth zejtarisë dhe të gjitha teknikave të punimit. Gjatë këtij viti do t’i shtjellojmë dhe do t’i mësojmë të gjitha teknikat pak nga pak. Që nga dita e parë kur kemi filluar, numri i fëmijëve që shfaqin interes vazhdon të rritet”, u shpreh Lizeta Kotroci Hatika, Mjeshtre e artizanatit.
Përfshirja e këtyre mjeshtërive në procesin mësimor u jep fëmijëve mundësinë të njihen më nga afër me teknikat artizanale, duke ndërthurur të nxënit me praktikën.
“Do të përfshihen të gjitha llojet e punimeve, duke filluar nga punimi me grep, qëndisja, punimi i leshit dhe të gjitha llojet e tjera të qëndisjeve. Pra, do të ketë një gamë të gjerë teknikash, në mënyrë që çdo fëmijë që shfaq interes dhe dëshiron ta vazhdojë këtë veprimtari, gjatë sezonit veror të vijë pranë atelieve tona për të punuar dhe për t’i praktikuar ato”, tha ajo.
Përtej krijimit të një punimi, mësimi i artizanatit është një mënyrë për të njohur trashëgiminë kulturore dhe për të ruajtur mjeshtëritë që kanë shoqëruar ndër breza jetën dhe traditën shqiptare.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



