Deklarata e fortë: Erion Veliaj u izolua në burgun e Fierit me urdhër të Ramës
Gazetari Arbër Hitaj ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me transferimin e Erion Veliajt në burgun e Fierit, duke e cilësuar këtë zhvillim si një veprim me prapavijë politike dhe një mesazh intimidimi ndaj të tjerëve.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hitaj ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si është kryer transferimi i kryebashkiakut të pezulluar të Tiranës, duke theksuar se problemi nuk qëndron te zhvendosja e një të paraburgosuri nga një institucion në tjetrin, por te rrethanat dhe mënyra e zbatimit të këtij vendimi.
Gazetari pretendon se izolimi dhe transferimi i Veliajt në kushte të pazakonta nuk janë thjesht një procedurë administrative, por një veprim që, sipas tij, mbart mesazhe politike. Ai ia atribuon drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama përgjegjësinë për këtë lëvizje, duke e lidhur atë me deklaratat publike të bëra nga Veliaj.
Në reagimin e tij, Hitaj e interpreton këtë situatë si një formë presioni jo vetëm ndaj ish-kryebashkiakut, por edhe ndaj personave të tjerë që mund të përballen me zhvillime të ngjashme.
“Më në fund maska ra!”, e nis gazetari reagimin e tij, përpara se të shprehet se transferimi i një personi të paraburgosur apo të dënuar nuk përbën problem në vetvete.
Sipas tij, shqetësimi lind kur një i burgosur izolohet dhe transferohet pa transparencë, në rrethana që ai i konsideron si tregues të një ndëshkimi me karakter politik.
Hitaj shkon edhe më tej në akuzat e tij, duke pretenduar se pas këtij vendimi qëndron një porosi e Edi Ramës, e lidhur me ato që Veliaj ka deklaruar publikisht.
Gazetari e cilëson këtë zhvillim si një paralajmërim frikësues për të gjithë të tjerët, ndërsa nuk kursen ironinë as për reagimet e disa deputetëve socialistë, të cilët janë shfaqur të habitur nga transferimi i Veliajt.
Sipas Hitajt, qëndrimi i tyre është një teatër politik që nuk meriton duartrokitje, pasi, në vlerësimin e tij, zhvillimet nuk mund të shkëputen nga konteksti i përplasjes politike dhe deklaratat e fundit të ish-kryebashkiakut.
Reagimi i plotë:
Më në fund maska ra!
Transferimi i një personi të paraburgosur apo të burgosur nuk përbën asnjë problem në vetvete.
Por kur ky i burgosur izolohet dhe transferohet në errësirë të plotë, atëherë kemi të bëjmë me një dënim politik.
Edhe dikush që nuk merret fare me politikë e kupton qe kjo është me porosi politike të vetë Edi Ramës, për shkak të atyre që Veliaj ka thënë publikisht dhe jo vetëm.
Nuk e kuptoj pse lodhen kaq shumë; ky është thjesht një mesazh frikësimi ndaj të gjithë të tjerëve.
Ky teatri me deputetë të PS që janë habitur, është i bukur, por nuk meriton duartrokitje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



