Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se raporti mbi mënyrën se si institucionet trajtuan rastin e Arlinda Zekajt, e vrarë më 25 tetor, i është përcjellë tashmë kryeministrit.
Raporti është hartuar nga Zyra e Koordinatores për Familje, Dhunën ndaj Grave dhe Dhunën me Bazë Gjinore dhe përfshin veprimet institucionale nga denoncimi i parë i viktimës, më 10 korrik 2026, deri në ditën e vrasjes së saj.
Megjithatë, dokumenti nuk është ende përfundimtar, pasi disa institucione nuk kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin dhe përgjigjet e kërkuara. Sipas Gërvallës, materialet e mbledhura deri më tani evidentojnë probleme serioze në trajtimin e rastit dhe vonesa në reagimin e institucioneve.
Ministrja theksoi se vrasja e Zekajt nuk ishte një ngjarje e paparalajmëruar, pasi institucionet kishin pasur informacion për kërcënimet dhe rrezikun që i kanosej asaj.
Sipas të dhënave të raportit, më 10 korrik, Arlinda Zekaj ishte paraqitur në polici, ku kishte denoncuar dhunën fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti. Në dëshminë e saj kishte folur edhe për kërcënimet, duke bërë të ditur se ai posedonte një armë me leje.
Zekaj kishte ngritur gjithashtu shqetësimin se, pavarësisht se ishte bashkëpronare e banesës, nuk po lejohej të hynte në pronën e saj për shkak të kundërshtimit të bashkëshortit dhe familjarëve të tij.
Paralajmërimet kishin vijuar edhe në muajt pasues. Më 7 shtator, ajo iu drejtua Gjykatës Themelore në Pejë për të kërkuar një urdhër emergjent mbrojtjeje. Po atë ditë, i kishte dërguar gjykatës edhe një mesazh, ku shprehte frikën se jeta e saj mund të ishte në rrezik.
Rasti ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për trajtimin e denoncimeve të dhunës në familje dhe reagimin ndaj kërcënimeve të raportuara nga viktimat.
Dorëzimi i dokumentacionit shtesë pritet të ndihmojë në sqarimin e plotë të veprimeve dhe përgjegjësive institucionale përpara vrasjes së Arlinda Zekajt.