Video/ Trump përplaset me gazetarin e Reuters: “Je i sëmurë dhe i neveritshëm, kujdesu për formën fizike

Donald Trump u përfshi në një debat të ashpër me gazetarin e Reuters, Jacob Bogage, pasi ky e pyeti nëse anulimi i vizitës së planifikuar në Kansas lidhej me lodhjen apo me shqetësime për shëndetin e presidentit amerikan.

Përplasja u regjistrua të enjten, më 29 tetor, pas kthimit të Trumpit nga një aktivitet elektoral në Karolinën e Jugut. Presidenti po fliste me gazetarët pranë avionit presidencial Air Force One.

Të lidhura

None found

Bogage e pyeti fillimisht Trumpin për gjendjen e tij shëndetësore, duke iu referuar udhëtimeve të shumta që ai kishte ndërmarrë gjatë javëve të fundit në kuadër të fushatës për zgjedhjet e mesmandatit në SHBA.

Trump deklaroi se ndihej shumë mirë. Megjithatë, toni i tij u përkeqësua kur gazetari e pyeti nëse mosudhëtimi drejt Kansasit mund të ishte shkaktuar nga lodhja.

“Je i çmendur që bën një pyetje të tillë. Je i sëmurë. Me kë je?”, i tha Trump reporterit.

Kur gazetari sqaroi se punonte për Reuters, presidenti vijoi me kritikat ndaj tij dhe agjencisë së lajmeve. “Je një njeri i sëmurë. Reuters është i tmerrshëm, meqë ra fjala”, u shpreh ai.

Bogage sqaroi se pyetja kishte për qëllim vetëm të konfirmonte nëse presidenti ishte mirë. Kjo përgjigje nuk e qetësoi Trumpin, i cili më pas komentoi edhe pamjen fizike të gazetarit.

“Shikojeni këtë njeri, është shumë jashtë forme. Ti je i neveritshëm. Kujdesu për formën tënde fizike, dukesh tmerrësisht keq”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump këmbënguli se ishte në gjendje të shkëlqyer dhe mohoi që anulimi i udhëtimit në Kansas të kishte lidhje me shëndetin ose lodhjen. Ai tha se nuk e shihte të domosdoshme të merrte pjesë personalisht në aktivitet, pasi kandidati republikan që kishte planifikuar të mbështeste, senatori Roger Marshall, sipas tij, po performonte mirë në garë.

Presidenti njoftoi se në vend të pranisë fizike do të zhvillonte një aktivitet elektoral në distancë, ndërsa konfirmoi gjithashtu udhëtimin e tij drejt Floridës.


Shtuar më 30.10.2026 10:18

Quantcast