Transferimi i Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në Fier po prodhon një paradoks politik sepse ndonëse fizikisht e larguan për në Fier si masë paralajmërimi apo ndëshkimi, politikisht po e rikthejnë në qendër të polemikave të Partisë Socialiste. Në momentin më të pafavorshëm për mazhorancën, ku përballë ka një front proteste dhe opozite, e cila mund të forcohet, vjen çuditërisht kthimi i kryebashkiakut në lojë politike.
Drejtoria e Burgjeve e shpjegon vendimin me arsye sigurie dhe procedura administrative, por Veliaj e quan transferim politik. Nuk ka prova publike se urdhri ka ardhur nga Edi Rama, por shpjegimet e deritanishme nuk kanë arritur ta mbyllin debatin. Dhe aty ku mungon transparenca, dyshimi politik fiton terren.
Për grupin parlamentar të PS mesazhi mund të lexohet si paralajmërim: kush del nga rreshti, e pëson. Ky interpretim ushqehet edhe nga qëndrimet e fundit të Veliajt, të lexuara si thumbime ndaj kryeministrit, pikërisht një status i tij një ditë pasi Vuçiçi humbi zgjedhjet. Mesazhi i Veliajt ishte se i njëjti fat po i vjen kryeministrit Rama.
Ndërkohë, reagimet e Fatmir Xhafajt, Bledi Çuçit dhe Taulant Ballës e kanë nxjerrë çështjen nga administrata e burgjeve dhe e kanë futur në zemër të shumicës socialiste. Kërkimi i llogarisë për trajtimin e një të paraburgosuri nuk është automatikisht rebelim kundër Ramës. Por tregon se heshtja brenda PS-së nuk është më e plotë, diçka po luhet në prapaskenat e PS.
Nëse synohej me dërgimin e kryebashkiakut në Fier, të matej mbështetja për Veliajn, reagimet po e bëjnë atë më të dukshme se kush janë me afër me Veliajn se sa me kryeministrin. Por kjo ka një kosto: çdo qëndrim publik në mbrojtje të të drejtave të tij mund të shtojë edhe peshën e tij politike.
Këtij zhvillimi i shtohet informacioni, ende i pakonfirmuar me aktet përkatëse, për shkarkime të gjera në drejtimin e Bashkisë dhe emërimin e Etleva Bishës si nënkryetare. Nëse të larguarit janë njerëz pranë Ramës apo Ballukut, siç pretendohet, kuptimi politik do të ishte edhe më i fortë.
Paradoksi për Ramën është ky: debati mbi transferimin po i jep Veliajt mundësinë të paraqitet si i goditur brenda familjes së vet politike. Akuzat penale mbeten për t’u shqyrtuar nga drejtësia. Por në perceptimin e një pjese të socialistëve, përballë tyre po vendoset edhe figura e një njeriu të ndëshkuar edhe nga pushteti, pra nga të tijtë socialistë.
Kjo mund t’i sjellë Erion Veliajt një solidaritet që më parë nuk e kishte. Mund të afrojë rreth tij edhe të pakënaqur që nuk mbrojnë bilancin e Veliajt, por shohin te trajtimi i tij një paralajmërim për veten.
Ende nuk ka prova për një front të organizuar kundër Ramës, por duket se diçka po lëviz në PS. Sot kryebashkiaku Veliaj, nga qelia në Fier, ka firmosur shkarkimin e krejt zinxhirit komandues të Bashkisë së Tiranës, që flitej se ishin njerëz të kryeministrit. Ai emëroi si nënkryetare një kundërshtare të kryeministrit.
E çuan Veliajn në Fier, por sherri për transferimin po i hap sërish vend në politikë. Dhe Ramës po i nxjerr përpara një pyetje të sikletshme: sa socialistë po mbrojnë Veliajn dhe sa po shprehin, përmes tij, pakënaqësinë ndaj kryeministrit?
Në fakt kryeministri po teston sa veta dhe kush janë me Erion Veliaj në momente të vështira për Ramën. Duket se disa po nxjerrin kokat, ndonëse me frikë, por ama po dalin dhe kryeministri po mban shënime.
Nga të gjithë vetëm Erion Veliaj po del më i fituar nga vajtja në Fier paçka se mbetet në qeli.
Ndërkohë me 10 dhjetor Gjykata e Lartë shqyrton kërkesën e Sajmir Tahirit, një prej ish-drejtuesve kryesor në PS dhe sidomos në qarkun e Tiranës, dikur ish-ministër i Brendshëm. Asokohe u fol se Tahiri u spostua nga lufta e brrylave në PS, sidomos mes tij dhe Veliajt, pra se kush do të ishte pasardhësi i Edi Ramës në PS. Por tani nëse ai shpallet i pafajshëm, rikthehet fuqishëm në PS. Brenda mazhorancës Sajmir Tahiri është një kundrapeshë e Erion Veliajt.
Nëse Sajmir Tahiri shpallet i pafajshëm nga Gjykata e Lartë, beteja do të jetë në PS mes Sajmir Tahirit të dalë nga burgu dhe Erion Veliajt që ndodhet në burg.
