Friday / October 30 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Business Tech Lajmet Kryesore Të Tjerat nga Bota Teknologji

Hakerat vjedhin 6.3 miliardë dollarë nga Binance, grabitja më e madhe e kriptomonedhave në histori

Share Share Icon

Hakerat kanë vjedhur 6.3 miliardë dollarë nga Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave, në një sulm rekord që analistët ia atribuojnë Koresë së Veriut dhe që mund të tronditë besimin tek asetet dixhitale.

Çmimet e kriptomonedhave ranë pas publikimit të lajmit, ndërsa Binance pezulloi tërheqjet e fondeve dhe deklaroi se do të mbulonte humbjet. Rreth gjysma e aseteve të vjedhura u ngrinë brenda një kohe të shkurtër nga emetuesit e monedhave të qëndrueshme (stablecoins), si Tether, Circle dhe World Liberty Financial, kompani e mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump.

Pjesa më e madhe e grabitjes u realizua brenda rreth 20 minutash, duke nisur të enjten vonë. Sipas kompanive amerikane të analizës së transaksioneve në blockchain, TRM Labs dhe Chainalysis, sulmi kishte ngjashmëri me operacionet e mëparshme të hakerave të lidhur me Korenë e Veriut.

TRM bëri të ditur se sulmuesit arritën të jepnin urdhra për transferimin e fondeve nga portofolet dixhitale të përdorura nga Binance drejt portofoleve të kontrolluara prej tyre. Metoda ishte e ngjashme me grabitjen e vitit 2025 ndaj platformës Bybit, të cilën Byroja Federale e Hetimit (FBI) e SHBA-së ia kishte atribuuar Phenianit.

“TRM ia atribuon sulmin njësisë elitare të hakerave të Koresë së Veriut”, deklaroi kompania në analizën e publikuar në faqen e saj. Si TRM, ashtu edhe Chainalysis, u shprehën se kishin një nivel të lartë sigurie se Koreja e Veriut ishte përgjegjëse.

“Sulmi më i madh kibernetik në histori”

Sipas autoriteteve amerikane dhe koreanojugore, si dhe ekspertëve të sigurisë kibernetike, Koreja e Veriut ka përdorur prej vitesh njësi kibernetike të lidhura me shtetin për spiunazh, vjedhje financiare dhe sigurimin e të ardhurave.

Koreja e Veriut i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

Binance deklaroi se fondet e përdoruesve ishin të sigurta dhe se po bashkëpunonte me partnerët për të ngrirë një pjesë të aseteve të prekura. Deri tani janë identifikuar rreth 3 miliardë dollarë. Platforma pret të rifillojë shërbimet e tërheqjes së fondeve brenda 48 orëve.

Kompania nuk dha informacion për gjendjen e 3.3 miliardë dollarëve të mbetur.

“Paratë tuaja janë të sigurta dhe ne do të mbulojmë çdo humbje”, shkroi në platformën X bashkëdrejtori ekzekutiv i Binance, Richard Teng. “Hetimi ynë nuk ia ka atribuuar përgjegjësinë asnjë individi”.

“Është sulmi më i madh kibernetik në histori”, deklaroi Aravind Srinivasan nga kompania GSR, ndërsa çmimet e kriptomonedhave pësuan rënie të përgjithshme.

Bitcoin zbriti në nivelin më të ulët të gjashtë javëve, në 76,368 dollarë, ndërsa Ether humbi më shumë se 3%, duke arritur në 2,178 dollarë, niveli më i ulët i dy muajve, përpara se tregjet të stabilizoheshin.

BNB, monedha dixhitale e prezantuar fillimisht si Binance Coin, e cila mund të përdoret për pagesën e komisioneve në Binance, ra me 5% gjatë 24 orëve të fundit, në 709.70 dollarë, sipas CoinGecko.

Pasiguria ndikoi edhe në aksionet e kompanive të listuara në bursë që operojnë në tregun e kriptomonedhave.

Aksionet e Coinbase Global, e cila deklaroi se nuk ishte prekur nga sulmi, ranë me 4.8%, ndërsa ato të Strategy, kompani që investon në Bitcoin, humbën pothuajse 6% në tregtimin pas mbylljes së bursave amerikane.

Një laptop i komprometuar

Hetimet paraprake sugjerojnë se sulmi mund të ketë nisur nga një laptopi një prej inxhinierëve të Binance, i cili ishte komprometuar nga hakerat. Kjo u kishte mundësuar sulmuesve të hynin në një prej sistemeve të kompanisë dhe të kryenin tërheqje të paautorizuara.

“Ekipi ynë i sigurisë po gjurmon të gjithë rrugën e sulmit përmes kompjuterit të komprometuar, i cili mund të ketë qenë pika e hyrjes”, deklaroi Binance.

Mark Karpeles, ish-drejtuesi i platformës Mt Gox me seli në Tokio, e cila falimentoi rreth 12 vjet më parë pas vjedhjes së Bitcoin me vlerë 500 milionë dollarë, tha se sulmuesit ka të ngjarë të kenë siguruar akses në çelësat privatë të të paktën dy portofoleve dixhitale të Binance.

“Binance duket se i ka shpërndarë asetet e saj në disa sisteme, duke siguruar që një sulm të prekë vetëm një pjesë të tyre. Megjithatë, edhe një sulm i vetëm mund të shkaktojë humbje të mëdha”, tha ai.

Përtej humbjeve të mundshme financiare, analistët vlerësojnë se incidenti mund të ketë pasoja më të gjera për tregun e kriptomonedhave, i cili tashmë ishte nën presion për shkak të normave më të larta të interesit në SHBA dhe dobësimit të kërkesës nga investitorët në fondet e tregtueshme në bursë (ETF).

“Ngjarja mund të dobësojë më tej gatishmërinë për të marrë rrezik dhe t’i shtyjë investitorët të rivlerësojnë sigurinë e aseteve të mbajtura në platformat e centralizuara të shkëmbimit”, tha Tim Sun, studiues i lartë në HashKey Group, me seli në Hong Kong.

Vlera e vjedhjes tejkalon fondin e sigurisë së Binance

Binance, e cila u mundëson përdoruesve blerjen, shitjen dhe tregtimin e aseteve dixhitale, ka 335 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën dhe administronte rreth 162.8 miliardë dollarë asete në ruajtje, sipas raportit vjetor të kompanisë për vitin 2025.

Platforma disponon një fond sigurie për përdoruesit, me vlerë 1 miliard dollarë, të mbajtur tërësisht në Bitcoin, i cili synon mbrojtjen e aseteve të klientëve në rast shkeljesh të sigurisë.

Bashkëdrejtori ekzekutiv Richard Teng deklaroi se humbjet do të mbulohen nga ky fond dhe nga fondet e vetë kompanisë.

Emetuesi i monedhave të qëndrueshme Tether njoftoi se kishte ngrirë rreth 1.57 miliardë dollarë asete të lidhura me incidentin, ndërsa Circle kishte bllokuar më shumë se 800 milionë dollarë.

World Liberty Financial deklaroi se kishte bashkëpunuar me kompaninë e ruajtjes së aseteve dixhitale BitGo për ngrirjen e fondeve.

Bashkëthemeluesja e Binance, Yi He, tha se ishin ngrirë gjithashtu 27 milionë dollarë në stablecoins dhe rreth 2 milionë dollarë në tokens të World Liberty Financial. Sipas saj, kompania Ripple kishte ngrirë gjithashtu rreth 200 milionë dollarë fonde.

Incidenti i shtohet një serie vjedhjesh të mëdha në sektorin e kriptomonedhave.

Sipas studiuesve të TRM Labs, gjatë vitit të kaluar hakerat vodhën kriptomonedha me vlerë 2.9 miliardë dollarë përmes afro 150 sulmeve.

Në shtator, platforma e shkëmbimit të kriptomonedhave Bitget njoftoi se nga sistemi i saj ishin vjedhur rreth 350 milionë dollarë në asete dixhitale, duke nxjerrë edhe një herë në pah cenueshmërinë e industrisë ndaj sulmeve kibernetike. / Reuters

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Taksa e pronës do të ndryshojë sërish, rritje e shkallës për apartamentet dhe vilat e dyta

Qeveria do të ndryshojë sërish shkallën e taksës për pronën në projektligjin për pasuritë e paluajtshme, i ripublikuar për konsultime publike në mu...

2 hours më parë 4 Min Lexim

Dhoma Britanike kundër rritjes së taksave: Rrezikohen investimet, kërkon shtyrje deri në 5 vjet

Dhoma Britanike e Tregtisë në Shqipëri (BCCA) i kërkon qeverisë të rishikojë ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se...

2 hours më parë 9 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!