Kandidatja presidenciale bullgare Iliana Jotova deklaroi se institucioni i presidentit ishte i pari që ngriti çështjen e të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ajo e bëri këtë koment gjatë një debati televiziv me rivalin e saj Andrei Gyurov, para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen më 1 nëntor.
Sipas Jotovës, kjo çështje nuk ishte përfshirë në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë.
Të lidhura
None found
“Qasja e Bullgarisë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të mbetet e pandryshuar. Për shumë kohë, marrëdhëniet me këtë vend dhe procesi i anëtarësimit të tij në Bashkimin Evropian nuk janë trajtuar si çështje vetëm dypalëshe. Bëhet fjalë për një politikë evropiane ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa institucionet evropiane po verifikojnë me rigorozitet përmbushjen e kritereve të nevojshme për vijimin e procesit”, u shpreh Jotova në debatin e transmetuar nga “BNT”.
Ajo pretendoi se, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, nuk ka pasur përmirësime, veçanërisht sa i përket gjuhës së urrejtjes dhe trajtimit të personave me origjinë bullgare. Për Jotovën, vendimi për të liruar nga akuzat personat e dyshuar për sulmin ndaj Hristijan Pendikovit përbën një dëshmi të qartë të kësaj situate.
“Do të vijojmë t’u kërkojmë partnerëve tanë evropianë që marrëveshja dhe politikat e Bashkimit Evropian të zbatohen. Për sa i përket qëndrimit kombëtar, unë jam një person që nuk do të largohet as edhe një centimetër nga marrëveshjet e arritura, ndonëse Shkupi po përpiqet seriozisht të rrëzojë disa protokolle”, tha Jotova.
Gjatë debatit, Jotova kritikoi edhe ish-kryeministrin Kiril Petkov, duke e akuzuar se nuk e njihte përmbajtjen e marrëveshjes dhe se synonte të udhëtonte në Shkup për të ndryshuar qëndrimin e Bullgarisë.





