Ka nisur maratona e diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, dhe të 5 projektligjeve që janë pjesë e paketës fiskale për vitin 2027. Për vitin e ardhshëm institucionet do të kenë në dispozicion 976 miliardë lekë, ndërsa objektivi është për të mbledhur rreth 907 miliardë lekë.

“Burimet kryesore të kësaj rritjeje vijnë si rezultat i rritjes ekonomike të vendit, ndikimit të inflacionit, masave të reja të paketës fiskale dhe nga zbatimi i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave”, tha Malaj.

Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit tha ministri i Financave Petrit Malaj në Komisionin e Ekonomisë shkon edhe për të mbështetur pensionistët, përmes indeksimit në prill dhe dyfishimit të bonuseve mujore.

“Në total, politika për pensionet për vitin 2027 është 24 miliardë lekë ose rreth 250 milionë. Krahas pensioneve, buxheti forcon edhe politikat e mbrojtjes sociale, me fokus te fëmijët, familjet dhe kategoritë që kanë më shumë nevojë. Synimi ynë është që mbështetja publike të jetë më e drejtpërdrejtë dhe të ndihmojë në përballimin e nevojave të përditshme”, tha Malaj.

Sa i takon ndryshimeve në taksa, Malaj tha se do kenë efekt neutral në buxhet, pasi nga njëra anë ka ulje taksash sic është TVSH-ja për ushqimet apo zhvendosja e taksës së qarkullimit nga karburanti tek taksat e mjetit, por nga ana tjetër rritet TVSH e përgjithshme në 21%, dividendi si dhe akciza për duhanin.

“Ndryshimet e propozuara do të jenë me efekt neutral, pasi parimi mbi të cilin e kemi bazuar këtë Paketë Fiskale është rishpërndarje e të ardhurave, duke siguruar mbrojtjen e kategorive më në nevojë dhe duke mbështetur shtresën e mesme. Pra, nëse do t’i mbledhim dhe do t’i zbresim të gjitha këto politika njëra me tjetrën efekti është zero ose minus 300 milionë lekë për buxhetin e shtetit”, tha Malaj.

Projektbuxheti bashkë me paketën fiskale do të diskutohen në komisionet parlamentare përgjatë muajit të ardhshëm, dhe më 18 nëntor parashikohet të kalojë në seancë plenare për miratim në parim, për t’u rikthyer më pas për diskutime dhe pritet të marrë vulën përfundimtare të Kuvendit më 26 nëntor.

Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës: 29 Tetor, 18:29

    A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?