Unioni Turistik Shqiptar kundërshton rritjen e TVSH-së për akomodimin nga 6% në 10% dhe të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, të parashikuara në Paketën Fiskale 2027. Rrahman Kasa paralajmëron se këto ndryshime do të rëndojnë bizneset turistike, ndërkohë që kontratat me operatorët ndërkombëtarë për sezonin e ardhshëm janë nënshkruar dhe çmimet janë fiksuar prej muajsh.
Përmes një postimi në Facebook, Kasa kërkon që qeveria të rishikojë masat e propozuara, duke argumentuar se ato dobësojnë konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar dhe frenojnë investimet.
“Unioni Turistik Shqiptar shpreh shqetësimin e anëtarëve të tij lidhur me ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, sidomos për sektorin e turizmit, i cili është një ndër motorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Ne jemi të mendimit se këto ndryshime rëndojnë më tej klimën e biznesit, dobësojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe frenojnë investimet private. Ne e kuptojmë nevojën e shtetit për të garantuar të ardhura të qëndrueshme buxhetore, për të përmirësuar administrimin fiskal dhe për të mbështetur shtresat në nevojë. Megjithatë, këto objektiva nuk duhet të arrihen duke rritur barrën mbi sipërmarrjet që investojnë, krijojnë vende pune dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit”, shkruan Kasa.
Sipas Paketës Fiskale 2027, TVSH-ja për akomodimin në strukturat turistike propozohet të rritet nga 6% në 10%. Ndryshimi prek edhe hotelet me 5 yje, si dhe shërbimet e akomodimit dhe restorantit në agroturizëm, me përjashtim të pijeve.
“Rritja e TVSH-së për turizmin nga 6% në 10% duhet të rishqyrtohet me seriozitet. Ne si Union Turistik kemi kërkuar që para 3 vitesh të kemi një TVSH 10% për të gjitha shërbimet që përfshijnë sektorin e turizmit, sepse kjo do ta thjeshtonte procedurën dhe do të na bënte më konkurrues me vendet e tjera të rajonit tonë. Turizmi shqiptar operon në një treg ndërkombëtar ku çmimet, cilësia dhe konkurrueshmëria përcaktohen nga destinacionet rivale" argumenton Kasa.
Kasa bën një krahasim me vendet e tjera të rajonit, duke u ndalur te normat e TVSH-së dhe tatimi mbi dividendin.
“Duke bërë një krahasim të TVSH-së me disa vende të rajonit, bizneset e turizmit e kanë shumë të vështirë të konkurrojnë me Greqinë, e cila ka 13% TVSH të unifikuar për shërbimet turistike, përfshirë hotelet, transportin, ushqimin dhe pijet. Me Maqedoninë e Veriut, e cila e ka TVSH-në 5% për akomodimin dhe 10% për shërbimet e tjera turistike. Rritja e TVSH-së na barazon me Italinë, e cila e ka TVSH-në 10%, një destinacion i pakrahasueshëm për ne. Po të krahasojmë tatimin mbi dividendin, Greqia e ka 5% dhe Kroacia e ka 10%. Rritja nga 8% në 15% do ta vendoste Shqipërinë mbi Greqinë dhe Kroacinë. Prandaj, nuk do të ishte normale të pretendohet se Shqipëria do të konkurronte këto vende, të cilat e kanë dividendin sa gjysma e tatimit që paguajnë bizneset tona”, shprehet ai.
Një tjetër problem që ngre Kasa lidhet me kontratat për sezonin turistik 2027. Sipas tij, bizneset i kanë përcaktuar tashmë çmimet me operatorët ndërkombëtarë dhe nuk mund t'ua kalojnë automatikisht klientëve kostot e rritjes së TVSH-së.
“Qeveria duhet të ketë parasysh edhe faktin se kjo rritje nuk mund t'u kalohet automatikisht klientëve, në kushtet kur kontratat me operatorët ndërkombëtarë për sezonin 2027 janë nënshkruar dhe çmimet për sezonin e ardhshëm janë fiksuar muaj më parë.”
Unioni Turistik Shqiptar kërkon rishikimin e masave fiskale, konsultime me bizneset dhe vendosjen e periudhave tranzitore për ndryshimet që prekin kontratat dhe investimet.
“Për këtë arsye, kërkojmë:
Rishikimin e masave që rrisin barrën fiskale mbi sipërmarrjen, duke vlerësuar ndikimin e tyre të kombinuar mbi investimet, punësimin dhe konkurrueshmërinë me vendet e rajonit.
Hapjen e menjëhershme të një procesi real konsultimi me organizatat përfaqësuese të biznesit, përpara miratimit përfundimtar të paketës.
Parashikimin e periudhave të arsyeshme tranzitore për çdo ndryshim që prek kontratat e lidhura, angazhimet financiare dhe planet e investimit të sipërmarrjeve.
Ne nuk jemi kundër reformës fiskale. Përkundrazi, jemi për një reformë që lufton evazionin, lufton informalitetin, konkurrencën e pandershme dhe përmirëson administrimin e të ardhurave publike, garanton drejtësi në taksim, pa dëmtuar zhvillimin ekonomik të vendit”, përfundon Kasa.










Komente
Komento