Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshëm kushtëzimin e mbajtjes së patentë-shoferit deri në përfundimin e masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit.
Në vendimin e saj, Gjykata ka vlerësuar se marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga Policia e Kosovës dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjetit janë dy institute të ndryshme juridike dhe nuk duhet të ngatërrohen në zbatimin e tyre.
Sipas Supremes, mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë, në përputhje me nenin 244 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Kjo do të thotë se dokumenti nuk mund të mbahet deri në përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjasë tre, gjashtë apo dymbëdhjetë muaj, pasi një praktikë e tillë është në kundërshtim me ligjin.
Gjykata Supreme ka theksuar se një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë pa bazë ligjore.
Vendimi është marrë nga kolegji i Gjykatës Supreme në kuadër të një konflikti administrativ, pas padisë së 28 paditësve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme – Policisë së Kosovës. Gjykata e ka aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ.
Ndërkaq, Supremja e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shfuqizimin e paragrafëve 1 dhe 2 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ.
Sipas Gjykatës, këto dispozita kanë karakter procedural dhe organizativ, pasi përcaktojnë njësinë policore përgjegjëse për administrimin e patentë-shoferit dhe detyrimin për lëshimin e vërtetimit për marrjen e përkohshme të tij, pa tejkaluar autorizimet e përcaktuara me ligj.