Detektivët po hetojnë kohën që Andrew Mountbatten-Windsor, Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell kanë kaluar në pronën private të mbretit në Skoci.
Policia e Skocisë bëri të ditur se ka marrë “informacion” dhe se hetimet ndodhen në një “fazë shumë të hershme”, lidhur me kohën që ish-anëtari i familjes mbretërore, tashmë i diskredituar, ka kaluar me Jeffrey Epstein, të ndjerin e dënuar për krime seksuale ndaj fëmijëve, në Balmoral.
Gazeta The Daily Express ka raportuar se hetimet lidhen me pretendimet se gra janë trafikuar drejt kësaj prone. Fotografi të publikuara më parë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë duket se tregojnë Mountbatten-Windsor dhe Epstein gjatë një udhëtimi për gjueti në Balmoral.
“Kemi marrë informacion dhe hetimet aktive janë në vijim, por ato ndodhen në një fazë shumë të hershme. Të gjitha hetimet bazohen në prova, duke vendosur në qendër nevojat e viktimave që kanë mbijetuar. Ne nuk konfirmojmë kurrë detaje të hetimeve në vazhdim dhe do të ishte e papërshtatshme të komentonim më tej”, deklaroi një zëdhënës i Policisë së Skocisë.
Këshilli Kombëtar i Drejtuesve të Policisë konfirmoi se disa struktura policore, përfshirë Policinë e Thames Valley, Policinë Metropolitane dhe Policinë e Surrey-t, kanë gjithashtu hetime aktive të lidhura me publikimin e dosjeve të Epstein.
Një zëdhënës i këtij këshilli deklaroi: “Identifikimi i çdo vepre tjetër të mundshme penale, të dyshuarve, viktimave apo dëshmitarëve është një proces kompleks dhe do të kërkojë kohë, por policia britanike mbetet e përkushtuar për të kryer një shqyrtim të hollësishëm të materialeve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë”.
Sipas Këshillit Kombëtar të Drejtuesve të Policisë, aktualisht nuk ka një hetim kombëtar.
Ish-Duka i Jorkut u arrestua më 19 shkurt të këtij viti, në ditëlindjen e tij të 66-të, nën dyshimin për shpërdorim të detyrës zyrtare, pas akuzave se kishte ndarë informacione të ndjeshme me Epstein gjatë kohës kur shërbente si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar.
Ai u mor në pyetje nën paralajmërim ligjor dhe më pas u lirua, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë. Ai mohon çdo shkelje, ndërsa hetimi policor është ende në zhvillim.
The post Skandali Epstein prek rezidencën mbretërore në Skoci, policia heton vizitat e Epstein dhe Maxwell në Balmoral appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë










