Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për shfuqizimin e dispozitës që lejonte mbajtjen e patentë-shoferit deri në përfundimin e masës mbrojtëse të ndalimit të drejtimit të automjetit.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, Ramadani ka uruar qytetarët, duke thënë se konfiskimi i patentë-shoferit bëhet vetëm me vendim të gjykatës.


Ai ka rikujtuar se këtë qëndrim e kishte shprehur edhe më 31 maj, duke theksuar se Policia nuk mund ta konfiskojë patentë-shoferin jashtë autorizimeve ligjore.

“Urime qytetarëve. Shteti ligjor mbi të gjitha. Më 31 maj, ju kam thënë që patentë-shoferi nuk do të konfiskohet nga Policia. Konfiskimi bëhet vetëm me vendim gjykate. Sot u raportua se Gjykata Supreme e vërtetoi këtë. Urime qytetarëve. Shteti ligjor mbi të gjitha”, ka shkruar Ramadani.

Gjykata Supreme ka konstatuar se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga Policia nuk mund të zgjasë më shumë se tetë ditë, ndërsa masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit mbetet e ndarë nga mbajtja fizike e dokumentit. /Telegrafi/