OST 8.2 mln euro për zgjerimin e kapaciteteve të transmetimit të energjisë në Tiranë

Rrjeti i transmetimit të energjisë në kryeqytet do të zgjerohet përmes një investimi prej rreth 745 milionë lekësh apo rreth 8.2 milone euro në nënstacionin Traktora, ku parashikohet instalimi i një autotransformatori të dytë me fuqi 150 MVA. Me përfundimin e projektit, fuqia e kombinuar e dy autotransformatorëve të nënstacionit të ri do të arrijë në 300 MVA, duke rritur kapacitetet për transformimin e tensionit dhe furnizimin e rrjetit elektrik të kryeqytetit.
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) hapi kete te premte tenderin për fazën e dytë të projektit, me fond limit 744.98 milionë lekë. Investimi përfshin jo vetëm instalimin e autotransformatorit, por edhe zgjerimin e infrastrukturës së tensionit të lartë dhe lidhjen e saj me rrjetin ekzistues.
Sipas dokumentacionit teknik, OST ka lidhur tashmë kontratën për fazën e parë të ndërtimit të nënstacionit të ri Traktora, i cili do të vendoset ngjitur me nënstacionin ekzistues 110/20 kV. Në këtë fazë parashikohet instalimi i autotransformatorit të parë prej 150 MVA, ndërtimi i godinës së kontrollit dhe krijimi i infrastrukturës bazë të tensionit 220 kV.
Faza e dytë do të shtojë një autotransformator me të njëjtën fuqi, si dhe pajisjet e nevojshme për lidhjen e tij me rrjetin. Përmes kësaj ndërhyrjeje, nënstacioni i ri do të ketë dy autotransformatorë që mundësojnë uljen e tensionit nga 220 kV në 110 kV, për transmetimin e mëtejshëm të energjisë drejt rrjetit të shpërndarjes.
Projekti parashikon gjithashtu rikonstruksionin e një pjese të instalimeve ekzistuese të nënstacionit Traktora, përfshirë lidhjet e tensionit 110 kV. Kjo do të mundësojë integrimin e pajisjeve të reja me infrastrukturën aktuale, pa qenë e nevojshme ndërtimi i një nënstacioni plotësisht të shkëputur nga ai ekzistues. Sipas projektit, nënstacioni i ri do të lidhet me linjat e tensionit të lartë Tirana 1–Uzina Traktor dhe Uzina Traktor–Elbasan 1. Këto lidhje janë pjesë e konfigurimit të ri të rrjetit të transmetimit në këtë zonë të kryeqytetit.
Investimi përfshin edhe zgjerimin e sistemeve të kontrollit, monitorimit dhe mbrojtjes së instalimeve elektrike. Pajisjet e reja do të integrohen me sistemin ekzistues të nënstacionit, për të mundësuar mbikëqyrjen dhe administrimin e funksionimit të tyre. Kontraktori fitues do të jetë përgjegjës për projektimin, furnizimin me pajisje, ndërtimin, testimin dhe vënien në punë të instalimeve të reja. Dokumentacioni përcakton gjithashtu detyrimin për të siguruar zgjidhje të përkohshme teknike për furnizimin me energji të nënstacionit gjatë punimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.








