Shuhet në moshën 78-vjeçare Bashkim Zeneli, diplomati që përfaqësoi Shqipërinë në Gjermani dhe Greqi

Aktualitet | 2 minuta më parë

Është shuar në moshën 78-vjeçare Bashkim Zeneli, një prej emrave të njohur të diplomacisë dhe jetës politike shqiptare. Diplomati, ish-deputeti dhe publicisti ka ndërruar jetë në një spital jashtë vendit, duke mbyllur një kapitull të gjatë angazhimi në gazetari, politikë dhe përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Largimi i tij nga jeta lë pas një trashëgimi të ndërtuar në disa fusha, ku fjala, politika dhe diplomacia u ndërthurën në shërbim të interesave të vendit. Zeneli ishte një nga intelektualët e hershëm të Partisë Socialiste dhe pjesë aktive e zhvillimeve politike e institucionale pas vitit 1991.

Më pas u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë për dy legjislatura dhe shërbeu si nënkryetar i Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme. Një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij ia kushtoi diplomacisë, duke përfaqësuar Shqipërinë si ambasador në Gjermani gjatë viteve 1998–2002 dhe në Greqi në periudhën 2002–2005.

Në Berlin, angazhimi i tij u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane dhe në mbështetjen e çështjes së Kosovës. Ndërsa në Athinë, ai punoi për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për mbrojtjen e interesave të komunitetit shqiptar që jetonte në Greqi. Diplomacia e tij nuk u kufizua vetëm në përfaqësimin institucional. Përmes kontakteve, angazhimit dhe komunikimit, Zeneli u përpoq të ndërtonte ura mirëkuptimi mes Shqipërisë dhe vendeve ku shërbeu, në një periudhë kur marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë kishin rëndësi të veçantë për vendin.

Për kontributin e tij në shërbim të vendit, në vitin 2018 Presidenti i atëhershëm Ilir Meta i akordoi titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Ai u vlerësua gjithashtu me disa çmime dhe dekorata, ndër të cilat titulli “Qytetar Nderi” i Athinës dhe medalja e artë “Zgalemi i Lirisë”.

Bashkim Zeneli ishte gjithashtu autor i disa botimeve, përmes të cilave pasqyroi përvojën e tij diplomatike dhe zhvillimet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Në librin “Miqësi e trazuar” ai trajtoi marrëdhëniet shqiptaro-greke, sfidat dhe zhvillimet e tyre ndër vite.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme