Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, u ka kthyer përgjigje dy drejtuesve të të dy komisioneve, Bledi Çuçit dhe Fatmir Xhafës, lidhur me transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj në burgun e Fierit.
Gazetarja e Klan News, Glidona Daci, raporton se ministri Gogu është shprehur se ka urdhëruar inspektim për rastin e transferimit të papritur të Veliajt nga paraburgimi i Durrësit, ku qëndroi nga shkurti i 2025-ës, në atë të Fierit.
Ministri po ashtu ka vënë në dukje se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është përgjegjëse direkte sipas ligjit për transferimin e të paraburgosurve apo të dënuarve.
Ditën e djeshme, kryetari i Komisionit parlamentar të Sigurisë, Bledi Çuçi, dhe ai i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, iu drejtuan me një shkresë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë, Toni Gogu.
Ata duan të njihen me procedurat e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit. Në letrën e tyre, ata kërkojnë të informohen nëse procedura e ndjekur për këtë rast është konform ligjit.
Po ashtu, dje, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi publikisht për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, duke e konsideruar urdhrin si një sekret shtetëror.
Urdhri është firmosur nga Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, ndërsa në dijeni është vendosur dhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK).










