Një nga shqetësimet më të mëdha të përdoruesve të Binance, por edhe të gjithë industrisë së kriptomonedhave, është nëse kompania do të jetë realisht në gjendje të përballojë këtë humbje të jashtëzakonshme financiare.
Por së fundmi Binance, bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë, deklaroi se ka marrë tashmë një angazhim publik për të mbuluar humbjet përmes fondeve të saj.
Binance thotë se ka rezervuar tashmë më shumë se 6.3 miliardë dollarë (4.7 miliardë paund), të njëjtën shumë që u vodh gjatë sulmit kibernetik, për të përballuar këtë incident. Sipas kompanisë, 5 miliardë dollarë nga kjo shumë janë tashmë të disponueshme në të njëjtat lloje kriptomonedhash që u prekën nga sulmi.
Për pjesën e mbetur, kompania thotë se është duke përfunduar blerjen e aseteve përmes kanaleve të ndryshme.
"Ky proces mund të kërkojë më shumë kohë", thuhet në njoftim, ndërsa Binance shton se do të publikojë përditësime mbi ecurinë sapo të jetë e mundur.
Kompania sqaron se këto shifra nuk përfshijnë asetet e ngrira, të cilat "mbeten objekt i procesit të vazhdueshëm të rikuperimit dhe verifikimit".
Më herët, Binance bëri të ditur se kishte arritur të ngrinte 3 miliardë dollarë nga asetet e vjedhura.
Reagon Musk
Ndonëse Kompania ka përsëritur vazhdimisht se fondet e klientëve do të mbulohen dhe se ka kapacitetin financiar për ta përballuar këtë situatë, personat që ndjekin historinë e tregut të kriptomonedhave kanë vënë në dukje në internet se ky është pikërisht i njëjti mesazh që përcillte drejtori ekzekutiv i FTX, Sam Bankman-Fried, përpara se platforma e tij e shkëmbimit të kriptomonedhave të falimentonte në vitin 2022, duke shkaktuar humbje të mëdha për klientët dhe industrinë.
Elon Musk iu përgjigj në platformën X një përdoruesi që ngriti këtë paralelizëm, duke reaguar me një emoji me fytyrë të shqetësuar.
Por themeluesi i Binance, Changpeng Zhao, i njohur gjerësisht me inicialet CZ, iu kundërpërgjigj miliarderit dhe ish-përkrahësit të Bitcoin-it, duke shkruar:
"Elon, kam shumë respekt për ty, por nuk është momenti i duhur për të bërë ironi. Të lutem, ndalo."
CZ shtoi se Binance e kishte ndihmuar Musk të blinte Twitter-in me 500 milionë dollarë dhe se vetëm investimi i Binance në këtë kompani tashmë vlen më shumë se 1 miliard dollarë.
"Do ta vlerësoja nëse do të tregoje pak mbështetje. Faleminderit!"
Vjedhja mendohet të jetë sulmi më i madh kibernetik në histori, me një dëm prej 6.3 miliardë dollarësh, shkruan BBC.
© SYRI.net