Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar paketën re fiskale të qeverisë Rama, si “paketën e mjerimit të qytetarëve” dhe “paketën e shpopullimit të vendit”.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha pretendoi se kryeministri Edi Rama ka paraqitur një paketë që parashikon rritjen e taksave me rreth 200 milionë euro, duke goditur sipas tij bizneset e vogla, profesionet e lira, klasën e mesme dhe familjet me të ardhura të ulëta.
“Edi Rama, thuhet se në fshehtësi të plotë edhe nga ministrat e tij, paraqiti dy ditë më parë një paketë në të cilën rrit taksat në total me rreth 200 milionë euro”, u shpreh Berisha.
Ai u ndal te ndryshimet e paralajmëruara për TVSH-në, duke kundërshtuar rritjen e normës së përgjithshme në 21%. Sipas tij, kjo masë do të sjellë rritje të përgjithshme të çmimeve dhe do të dobësojë konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve shqiptare.
Berisha kritikoi edhe njoftimin për uljen e TVSH-së për më shumë se 50 produkte bazë, duke e cilësuar atë si një masë pa efekt real për konsumatorët. Sipas tij, paralelisht me këtë ndryshim, qeveria po ul pragun e xhiros për përfshirjen në skemën e TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë, duke futur në këtë skemë edhe shumë dyqane të vogla që tregtojnë këto produkte.
Berisha pretendoi se Shqipëria ka një taksë qarkullimi shumë më të lartë se vendet që përdorin sisteme të ngjashme dhe se qytetarët do të paguajnë rreth 1.1 euro për litër naftë përmes barrës së përgjithshme të taksimit. Ai kundërshtoi gjithashtu rritjen e tatimit për profesionet e lira në 21%, duke paralajmëruar pasoja për këtë kategori dhe për ekonominë në tërësi. Në përfundim, kreu i opozitës deklaroi se ndryshimet e propozuara rrezikojnë të çojnë drejt falimentimit shumë biznese të vogla dhe profesionistë të lirë, duke rënduar edhe më tej gjendjen ekonomike të familjeve shqiptare.
Berisha: Unë jam sot këtu për të denoncuar edhe njëherë paketën fiskale të re si paketën e mjerimit të qytetarëve.
Si paketën e mbështetjen së oligarkëve dhe miliarderëve.
Edi Rama, thuhet se në fshehtësi të plotë edhe nga ministrat e tij, paraqiti dy ditë më parë një paketë në të cilën rrit taksat në total me rreth 200 milionë euro.
Me të cilën godet në mënyrë të egër bizneset e vogla, profesionet e lira, klasën e mesme me një rol përcaktues në shërbimet ndaj qytetarëve, familjet e varfra.
Të ndalemi pak, në paketën e tij famëzezë ai rrit TVSH-në e përgjithshme, siç tha vetë, me 21 përqind duke shkaktuar kështu një rritje të përgjithshme të çmimeve.
Duke goditur kështu aftësinë konkurruese të sipërmarrjeve shqiptare.
Me paketën e tij, ai njoftoi se do të ulë TVSH-në për 50 e sa mallra të cilat përbëjnë mallrat bazë.
Në pamje të parë kjo duket se bëhet për të ulur çmimet. Zero efekt. Hipokrizi totale.
Pse hipokrizi totale?
Sepse në të njëjtën kohë të gjitha dyqaneve ku blihen këto mallra u ul pragun e TVSH dhe i fut në TVSH.
Pra, dyqanet në tërësi, 90-95 përqind e tyre janë biznese me xhiro nën 10 milionë. Tani e ul nën 5 milionë.
Këto pikërisht, dyqanet që shesin mallrat, të cilat blihen dhe hiqet TVSH, tani këto futen në TVSH.
Këto kanë dy rrugë, falimentimin ose rritjen e çmimeve.
Tallet në mënyrë cinike me taksën e naftën.
Nafta, qytetarëve që nuk kanë vetura, u ndikon tek bileta e autobusëve. Kurse qytetari që përdor veturën çdo ditë dhe janë tani qindra mijëra qytetarë, ky thotë se do ua heq tek litri i naftës dhe do ua marr tek makina.
Po, ka vende që kanë këtë sistem, por nuk kanë kurrë këtë taksë qarkullimi që ka Shqipëria.
E kanë çerekun e saj dhe e marrin tek makina.
Kurse ky do marrë taksën më të lartë. Do marrë tek makina 1.1 euro për çdo litër naftë.
Në një akt absolut të papërgjegjshëm ky rrit në 21 përqind taksën e profesioneve të lira.
Çfarë do të ndodhë tani me këtë paketë?
Kjo paketë djallëzore do detyrojë të falimentojnë qindra mijëra biznese të vogla, të cilat mbajnë së paku një familje, dhe ata mbeten të marrin rrugët e dheut.
Do të falimentojë në tërësi profesionet e lira dhe ata mbeten të marrin rrugët e dheut.
Pra, është një paketë e shpopullimit.
