Grabiti me armë një shumë parash në Rrugën e Kombit në vitin 2021, identifikohet dhe shpallet në kërkim 36-vjeçari nga Puka

30/10/2026 13:03
foto ilustruese

Policia e Lezhës ka identifikuar një nga autorët e dyshuar të një grabitjeje me armë zjarri të ndodhur në gusht të vitit 2021, në Rrugën e Kombit, në territorin e Mirditës.

Bëhet fjalë për një 36-vjeçar me inicialet N. K., banues në Pukë, ndaj të cilit Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet se është përfshirë në ngjarjen e 31 gushtit 2021, kur shtetasit A. K. iu vodh një shumë parash nën kërcënimin e armës së zjarrit.

Identifikimi i tij u bë pas hetimeve të thelluara nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë.

Gjatë hetimeve është identifikuar edhe një person tjetër, i dyshuar si i përfshirë në grabitje, por për arsye hetimore policia nuk ka bërë të ditur të dhëna të tjera për të.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 36-vjeçarit, dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në grabitje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel