Kryetari i Bashkisë Vau Dejës, Kristian Shkreli, ka përgenjshtruar një lajm të Monitor, sipas të cilit “Landfilli i Bushatit do të presë mbetjet e 21 bashkive të vendit”. Përgenjeshtrimi ka ardhur përmes një publikimi në rrjetet e tij sociale.

“Për të disatën herë po qarkullojnë lajme të pavërteta lidhur me menaxhimin e mbetjeve dhe pretendimin se Landfilli i Bushatit do të presë mbetjet e 21 bashkive të vendit. Bashkia Vau-Dejës sqaron se këto pretendime nuk qëndrojnë. Landfilli i Bushatit është i destinuar për mbetjet e Qarkut Shkodër dhe Lezhë. Gjithashtu, Bashkia Vau-Dejës nuk ka asnjë kërkesë dhe nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje për depozitimin e mbetjeve të bashkive të tjera në këtë landfill. Çdo pretendim për zgjerimin e kësaj skeme dhe për përfshirjen e 21 bashkive në Landfillin e Bushatit është i pavërtetë dhe nuk duhet të keqinformojë opinionin publik.”, shkruan Kristian Shkreli në publikimin e tij.
“Ndërkomunale Bushat” është ndërmarrja në pronësi të Bashkisë Vau Dejës, e cila administron landfillin e Bushatit, i vetmi aktualisht në Qarkun e Shkodrës ku depozitohen mbetjet urbane edhe të bashkive të Qarkut të Lezhës.
LEXO MË SHUMË PËR KËTË TEMË: PARASHIKIMI – Nga Veriu në Jug, 34% e bashkive të vendit do të çojnë mbetjet në Qarkun e Shkodrës…




