9-mujori, kredia e re për ekonominë u rrit me 10%
Kredia e re për ekonominë iu kthye rritjes në muajin shtator.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për kishte vlerën e 35.2 miliardë lekëve, në rritje me 2.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithsej, për 9-mujorin e vitit 2026 sektori bankar ka dhënë gjithsej 336.8 miliardë lekë kredi për ekonominë, në rritje me 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kredia e re e disbursuar nga sektori bankar këtë vit është në vlerat më të larta historike dhe ritmet e rritjes janë të ngjashme me vitin e kaluar.
Megjithatë, shifrat e kredisë nuk janë të rregulluara për efektin e kursit të këmbimit. Duke pasur parasysh se kursi i këmbimit Euro-Lek këtë vit po bie me ritme më të larta, efekti i tij negativ mbi huadhënien në monedhën europiane këtë vit është më i lartë.
Shtysa kryesore për rritjen e tregut edhe këtë vit po vjen nga segmenti i individëve. Për 9-mujorin, bankat kanë disbursuar gjithsej 95.4 miliardë lekë kredi për individët, me një rritje prej 17.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kredia për individët po rritet me ritme më të larta në segmentin e kredisë konsumatorë, por tashmë edhe kredia për shtëpi i është kthyer rritjes, pasi e pati nisur vitin në ngadalësim.
Për 9-mujorin, kredia e re për banesa u rrit me 6.8% krahasuar me një vit më parë.
Kreditimi po shfaq rritje pozitive edhe në segmentin e biznesit, por me ritme më të ngadalta. Për nëntë muaj, bankat dhanë gjithsej 223.2 miliardë lekë kredi për ndërmarrjet private, me një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Megjithatë, për shtatorin, vlera e kredisë së re për biznesin pësoi frenim në 22.1 miliardë lekë, 10% më pak krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar.
Kreditimi i ekonomisë vazhdon të rritet edhe i matur si tepricë totale.
Vlera e portofolit të kredisë për ekonominë në fund të shtatorit arriti në 1.015 trilionë lekë, me një rritje prej afërsisht tetë miliardë lekësh krahasuar me gushtin. Me bazë vjetore, kredia ngelet në nivele dyshifrore, me 13.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja e portofolit po mbështetet në masën më të madhe te segmenti i individëve, me një rritje vjetore pranë nivelit të 20%. Megjithatë, edhe rritja e portofolit i kredisë për bizneset ka arritur nivele dyshifrore edhe në fund të shtatorit kjo rritje arriti në 11.8% krahasuar me një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.










