Një 19-vjeçar nga Dibra është arrestuar, ndërsa 5 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, në vijim të hetimeve për veprimet e kundërligjshme të kryera gjatë protestës së zhvilluar të enjten në Tiranë. Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, në pranga ka rënë një i ri, i cili dyshohet se ka thyer me sende të forta xhamat e dritareve të godinës së Gjykatës Kushtetuese. Ai është arrestuar në flagrancë, pas veprimeve hetimore të kryera nga shërbimet e Policisë. Ndërkohë, 5 shtetas të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Policia nuk ka bërë të ditur detaje të mëtejshme mbi identitetin e tyre apo veprimet konkrete për të cilat dyshohen. Materialet procedurale për rastin i janë referuar Prokurorisë, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme hetimore dhe procedurale.