Një grup shkencëtarësh ka përfunduar një studim të rëndësishëm mbi një dukuri që shkencat politike nuk kanë arritur ende ta shpjegojnë: përse disa premtimeve qeveritare nuk u mjaftojnë trembëdhjetë vjet për t'u realizuar, ndërsa disa të tjera realizohen brenda tri ditëve.

Pas një pune të gjatë kërkimore, grupi ka arritur në përfundimin se bindja e përhapur sipas së cilës politikanët nuk i mbajnë premtimet është krejtësisht e gabuar. Përkundrazi, politikanët janë njerëz shumë korrektë. Problemi qëndron te qytetarët, të cilët nuk bëjnë dallimin midis premtimeve për të marrë pushtetin dhe premtimeve për ta mbajtur pushtetin.

Këto janë dy kategori krejt të ndryshme dhe nuk duhet të ngatërrohen me njëra-tjetrën.

Në kategorinë e parë bëjnë pjesë premtimet për ujë të pijshëm njëzet e katër orë në ditë, shëndetësi falas, pensione dinjitoze, vende pune, hekurudha dhe një jetë më të mirë.

Për shembull, premtimi për ujë të pijshëm në çdo shtëpi vazhdon të jetë në proces realizimi. Trembëdhjetë vjet mund të duken shumë, por duhet pasur parasysh se Shqipëria ka shumë ujë dhe jashtëzakonisht shumë rubineta. Nuk mund të kërkohet që qeveria të merret me të gjitha njëkohësisht. Për më tepër, qytetarët kanë krijuar zakonin e keq që, sapo hapin rubinetin, kërkojnë të dalë ujë.

Edhe shëndetësia falas është ndeshur me vështirësi objektive. Pengesa kryesore është se qytetarët vazhdojnë të sëmuren. Disa madje kërkojnë analiza, ilaçe dhe operacione, pa marrë parasysh vështirësitë që i krijojnë qeverisë. Sikur të tregonin pak më shumë përgjegjshmëri dhe të mos sëmureshin, premtimi për shëndetësinë falas do të ishte realizuar plotësisht.

Me pensionet situata është edhe më e qartë. Qeveria premtoi rritjen e tyre dhe pensionet janë rritur. Fakti që domatet, djathi, mishi dhe pothuajse të gjitha produktet e tjera janë shtrenjtuar më shpejt nuk mund t'i ngarkohet qeverisë. Ajo kishte premtuar rritje pensionesh, jo ulje çmimesh. Premtimet duhen lexuar me kujdes, sidomos nga pensionistët.

Një rast veçanërisht interesant është hekurudha Tiranë–Durrës–Rinas. Prej vitesh premtohet ndërtimi i saj, por trenat ende nuk qarkullojnë. Mirëpo, qeveria ka treguar një kujdes të jashtëzakonshëm për sigurinë e udhëtarëve. Brenda pak ditësh ajo arriti të miratojë masa që parashikojnë largimin e personave me sjellje të dhunshme nga stacionet dhe mjetet e transportit, përfshirë trenat. Pra, për të ndërtuar hekurudhën nuk kanë mjaftuar vite të tëra, ndërsa për të ndaluar protestuesit e dhunshëm të hipin në trena mjaftuan pak ditë. Ky është një sukses i padiskutueshëm: Shqipëria ende nuk ka trena në atë linjë, por i ka gati rregullat se kush nuk duhet të hipë në ta. Deri tani masa ka funksionuar në mënyrë të përsosur. Asnjë protestues i dhunshëm nuk ka hipur në trenin Tiranë–Rinas. Në fakt, nuk ka hipur asnjë qytetar tjetër, por kjo vetëm sa dëshmon efikasitetin e saj.

Një tjetër premtim ka qenë krijimi i kushteve që të rinjtë të ndërtojnë jetën në Shqipëri. Edhe këtu rezultatet kanë qenë të pjesshme, sepse të rinjtë kanë vazhduar të largohen jashtë vendit. Por, së fundmi, është gjetur një zgjidhje shumë më praktike. Në vend që të krijohen kushtet që të rinjtë të dëshirojnë të qëndrojnë në Shqipëri, mund të vendosen kufizime që disa prej tyre të mos largohen dot. Masat e parashikuara për persona të përfshirë në veprime të dhunshme gjatë protestave krijojnë mundësi të reja në këtë drejtim. Kështu, një premtim që kërkonte zhvillim ekonomik, vende pune dhe paga më të mira, mund të realizohet pjesërisht edhe me një verifikim në kufi. Kursimi për buxhetin e shtetit është i konsiderueshëm.

Por zbulimi më i rëndësishëm i studimit lidhet me kategorinë e dytë, premtimet për mbajtjen e pushtetit.

Këtu administrata shtetërore pëson një transformim të jashtëzakonshëm. Institucionet që për vite të tëra nuk arrijnë të sigurojnë ujë, shërbime shëndetësore apo pensione të mjaftueshme, papritur bëhen shembull i shpejtësisë dhe efikasitetit.

Mjafton të premtohen masa të ashpra kundër protestuesve dhe gjithçka fillon të funksionojë. Ministritë hartojnë propozime, juristët përgatisin aktet, regjistrat elektronikë bëhen gati, gjobat përcaktohen dhe procedurat miratohen me një shpejtësi që do ta kishte zili edhe administrata zvicerane.

Shkencëtarët kanë vërejtur se kjo aftësi nuk kufizohet vetëm te protestat. Ajo shfaqet edhe në rastet e lejeve të ndërtimit, koncesioneve dhe investimeve të rëndësishme. Kur investitori është i zakonshëm, procedurat janë të ndërlikuara dhe ligjet të rrepta. Kur investitori është mik i rëndësishëm, procedurat thjeshtohen, planet urbanistike përshtaten dhe pengesat zhduken. Nëse kërkesa nuk përputhet me ligjin, nuk ka arsye të shqetësohet investitori. Mund të ndryshohet ligji.

Grupi shkencor e ka pagëzuar këtë dukuri me emrin «Parimi i elasticitetit selektiv të shtetit». Sipas këtij parimi, shteti është i ngurtë për qytetarin e zakonshëm, por jashtëzakonisht elastik për qytetarin e rëndësishëm.

Studimi ka zbuluar gjithashtu se koha në administratën shqiptare nuk matet njësoj për të gjithë. Për një pensionist, trembëdhjetë vjet janë trembëdhjetë vjet. Për një të sëmurë që pret shërbim mjekësor, gjashtë muaj janë gjashtë muaj. Për një qytetar që kërkon ujë të pijshëm, një ditë pa ujë zgjat njëzet e katër orë. Por për pushtetin, trembëdhjetë vjet mund të konsiderohen një periudhë përgatitore, ndërsa tri ditë janë plotësisht të mjaftueshme për të marrë masa ndaj atyre që protestojnë kundër tij.

Përfundimi shkencor është i pakundërshtueshëm: politikanët nuk janë aspak të paaftë për të mbajtur premtimet. Ata kanë një aftësi të jashtëzakonshme për t'i realizuar ato, me kusht që premtimet të jenë të kategorisë së duhur.

Për të shmangur keqkuptimet në zgjedhjet e ardhshme, grupi ynë kërkimor rekomandon që çdo premtim elektoral të shoqërohet me një shënim sqarues:

«Ky premtim jepet për marrjen e pushtetit dhe nuk krijon detyrim për realizimin e tij pas zgjedhjeve.»

Ndërsa për premtimet e kategorisë së dytë, rekomandohet të përdoret formula:

«Realizimi është i garantuar. Në raste urgjente, ligji mund të ndryshohet edhe përpara se qytetarët të marrin vesh se çfarë u është premtuar.»

Së fundmi, për t'i dhënë këtij zbulimi shkencor edhe mbështetje kushtetuese, propozohet shtimi i një neni të posaçëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë:

«Uji i pijshëm, pensionet, shëndetësia, hekurudhat dhe mirëqenia e qytetarëve garantohen sipas mundësive. Mbajtja e pushtetit garantohet njëzet e katër orë në ditë, pa ndërprerje.»

Grupi ynë shkencor rekomandon që ky nen të miratohet me procedurë të përshpejtuar. Nuk ka asnjë arsye për vonesë. Në fund të fundit, trembëdhjetë vjet për t'u dhënë qytetarëve ujë të pijshëm janë pak, por tri ditë për t'ua mbyllur gojën janë më se të mjaftueshme.

Së fundmi, për t'i dhënë këtij zbulimi shkencor edhe mbështetje kushtetuese, propozohet shtimi i një neni të posaçëm në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë:

«Uji i pijshëm, pensionet, shëndetësia, hekurudhat dhe mirëqenia e qytetarëve garantohen sipas mundësive. Mbajtja e pushtetit garantohet njëzet e katër orë në ditë, pa ndërprerje.»

Grupi ynë shkencor rekomandon që ky nen të miratohet me procedurë të përshpejtuar. Nuk ka asnjë arsye për vonesë. Në fund të fundit, trembëdhjetë vjet për t'u dhënë qytetarëve ujë të pijshëm janë pak, por tri ditë për t'ua mbyllur gojën janë më se të mjaftueshme.