Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale, si rezultat i një pune hetimore disajavore, me metoda proaktive, finalizoi operacionin policor të koduar “Gjurmët”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit:
-P. F., 45 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Vau i Dejës, M. P., 39 vjeç, banues në fshatin Dush, Vau i Dejës, K. K., 33 vjeç, banues në Shkodër dhe D. N., 67 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. F., 38 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Vau i Dejës, vëllai i 45-vjeçarit.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, transportonin lëndë narkotike Cannabis Sativa, me automjete dhe me varka, në zonë të pyllëzuar në fshatin Koman, ku e përgatitnin për shitje.
Gjatë ndërhyrjes në këtë zonë, shërbimet e Policisë kryen kontroll në një ambient të përshtatur për kamping, në pronësi të shtetasit P. F., dhe në automjetet në përdorim të shtetasve K. K. dhe M. P., ku gjetën 10 thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë mbi 56.7 kilogramë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.




