Vrasja e Arlinda Zekajt, dorëhiqet drejtori i Policisë së Kosovës
Dorëheqje në krye të Policisë së Kosovës pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Drejtori i Përgjithshëm i institucionit, Gazmend Hoxha, ka lënë detyrën në një kohë kur po shtohet presioni publik për mënyrën se si policia dhe organet e drejtësisë trajtuan kërkesat e përsëritura të viktimës për mbrojtje.
Largimi i tij është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Albin Kurti ka pranuar kërkesën për dorëheqje të Hoxhës dhe ka miratuar lirimin e tij nga detyra.
Në vend të tij, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri ka caktuar Fehmi Hotin si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
11 policë dhe dy prokurore të pezulluara pas vrasjes
Dorëheqja e Gazmend Hoxhës vjen pas një sërë zhvillimesh që kanë përfshirë strukturat policore dhe organet e drejtësisë, të cilat tashmë janë nën hetim për mënyrën se si trajtuan rastin e Arlinda Zekajt.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar pezullimin e 11 zyrtarëve policorë, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur pezullimin e kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores së çështjes, Arlinda Nallbani-Gacaferri. Për të përfshirët janë paralajmëruar gjithashtu procedura hetimore dhe disiplinore.
Në qendër të hetimeve janë kërkesat e përsëritura të Arlinda Zekajt për mbrojtje dhe mënyra se si institucionet iu përgjigjën paralajmërimeve të saj se jeta i rrezikohej.
Sipas të dhënave të bëra publike, urdhri i parë mbrojtës, i lëshuar më 7 shtator, nuk rezultonte i dokumentuar si i ekzekutuar. Ndërsa urdhri i dytë, i datës 16 tetor, ishte zbatuar vetëm më 22 tetor, pas ndërhyrjes së Inspektoratit Policor.
Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, Arlinda Zekaj u vra në Vitomiricë të Pejës.
Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes përgjegjësinë institucionale në rastet e dhunës dhe kërcënimeve ndaj grave, veçanërisht kur viktimat u drejtohen autoriteteve për ndihmë dhe kërkojnë mbrojtje për jetën e tyre.
Dorëheqja e drejtuesit të Policisë së Kosovës është zhvillimi më i fundit në këtë çështje, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë konkrete dhe nëse ka pasur neglizhencë apo shkelje të procedurave nga zyrtarët që trajtuan rastin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



