Policia e Shkodrës, në kuadër të operacionit të koduar “Gjurmët”, zbuluan dhe sekuestruan mbi 56.7 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa të ndarë në 10 thasë, të fshehura në një zonë të pyllëzuar në fshatin Koman, pas disa javësh hetimesh me metoda proaktive mbi një grup personash të dyshuar për transportimin dhe përgatitjen e drogës për shitje.
Sipas njoftimit të policisë, lënda narkotike transportohej me automjete dhe me varka drejt zonës së pyllëzuar, ku më pas fshihej dhe përgatitej për tregtim. Gjatë ndërhyrjes, shërbimet policore kontrolluan një ambient të përshtatur për kamping, në pronësi të Petrit Frrokut, si dhe automjetet në përdorim të persona të tjerë, ku u gjetën dhe u sekuestruan thasët me lëndën e dyshuar si provë materiale.
Në kuadër të operacionit u arrestuan katër persona: Petrit Frroku (45 vjeç, banues në fshatin Gomsiqe, Vau i Dejës), Martin Prendi (39 vjeç, banues në fshatin Dush, Vau i Dejës), Kolë Kondari (33 vjeç, banues në Shkodër) dhe Ded Nimani (67 vjeç, banues në Tiranë). Po ashtu, u procedua në gjendje të lirë A. F., 38 vjeç, banues në Gomsiqe, i cili rezulton të jetë vëllai i 45-vjeçarit të arrestuar.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Seksionin e Mbështetjes Operacionale, finalizoi aktivitetin pas një pune hetimore disa javore dhe sekuestrimin e mbi 56.7 kg Cannabis Sativa në 10 thasë. Materialet procedurale dhe prova materiale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Policia njoftoi se vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
