Përfaqësuesi i Aleancës, Avni Arifi, ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke i bërë përgjegjës politikë për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Arifi ka kritikuar konferencën e mbajtur nga dy ministrat, duke e cilësuar paraqitjen e tyre si të papranueshme në raport me qytetarët dhe rrethanat e rastit.
“Në vlerësimin tonë, kjo është një konferencë, thënë më së buti, shumë e poshtër e dy zyrtarëve publikë të shtetit të Kosovës, në raport me qytetarët e Kosovës, në raport me një rast që e ka tronditur çdo qytetar të Kosovës. Edhe ministrja, edhe ministri konfirmonin dhe flisnin për informacione se çfarë qytetarët e Kosovës i kishin mësuar nga media”, tha Arifi.
Ai ka thënë se paraqitja e ministrave dëshmoi, sipas vlerësimit të Aleancës, mungesë të përgjegjësisë institucionale, ndërsa ka kritikuar atë që e ka cilësuar si arrogancë dhe cinizëm.
“Ata dëshmuan se për dështimin në shumë nivele të sistemit që ata drejtojnë dhe për të cilat janë përgjegjës, po arroganca e tyre, cinizmi i tyre ishin në vlerë. Pra, ne si Aleancë nuk kemi asnjë konkluzion tjetër se ekziston një përgjegjësi e qartë politike dhe kjo përgjegjësi politike duhet të adresohet nga Qeveria”, shtoi Arifi.
Përfaqësuesi i Aleancës ka kërkuar që të dy ministrat të japin dorëheqje, duke theksuar se përgjegjësia, sipas tij, nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin moral.
“Duhet të adresohet natyrisht edhe ministrja Gërvalla-Schwarz, edhe ministri Sveçla duhet ta japin dorëheqjen. Jo vetëm dorëheqje morale, sepse ajo është dashur të ndodhë në moment, por dorëheqje, sepse kanë qenë inkompetentë në kryerjen e funksioneve kryesore që kanë, funksioneve që i kanë kushtuar me jetë një qytetari të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Arifi ka bërë të ditur se Aleanca mbështet protestën e grave në Prishtinë, duke thënë se kërkesa kryesore e saj është dorëheqja e dy ministrave.
“Ne si Aleancë i mbështesim protestën e grave që ndodh sot në Prishtinë për një kërkesë të qartë: dorëheqjen e dy ministrave. Dhe njëkohësisht u bëjmë thirrje gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të ndihmojnë gratë në këto protesta, qoftë në pjesëmarrje, qoftë në forma të ndryshme, sepse drejtësia duhet të ndodhë”, ka thënë ai.
Arifi ka kërkuar që Gërvalla-Schwarz dhe Sveçla të largohen nga detyra, duke deklaruar se vazhdimi i punës së tyre nuk përputhet me kërkesën për përgjegjësi politike.
“Nuk ka drejtësi në rast se vazhdohet me këtë arrogancë, me këtë cinizëm, me këtë sjellje neveritëse, ministrja Gërvalla dhe ministri Sveçla vazhdojnë punën e tyre. Këta ministra duhet ta japin dorëheqjen, apo të shkarkohen”, ka thënë Arifi.