“Novaya Gazeta”, një prej mediave të njohura të pavarura në Rusi, ka bërë të ditur se do të ndalojë së funksionuari. Kryeredaktori i saj, Sergei Sokolov, tha se vendimi vjen pas presionit të vazhdueshëm nga autoritetet dhe shërbimet sekrete ruse. Së fundmi, banesa e tij u kontrollua, ndërsa në prill u arrestua gazetari Oleg Roldugin.
Në një video të publikuar të premten në YouTube, Sokolov deklaroi se redaksia është detyruar të mbyllë aktivitetin. “Novaya Gazeta po pushon së ekzistuari. Autoritetet ruse, shërbimet sekrete ruse, e kanë detyruar redaksinë t’i japë fund punës së saj”, tha ai.
Të lidhura
None found
Kryeredaktori njoftoi se më 9 nëntor do të fiken dritat në redaksinë ku gazeta ka punuar për 30 vite, do të çaktivizohen serverët dhe stafi do të largohet. “Novaya Gazeta është vrarë. Më 9 nëntor do të fikim dritat në shtëpinë tonë, ku kemi jetuar për 30 vite. Do të mbyllim serverët dhe do të largohemi”, u shpreh Sokolov.
Gjatë këtij muaji, Sokolov u shoqërua për t’u marrë në pyetje dhe autoritetet kontrolluan banesën e tij. Veprimet u kryen në kuadër të një çështjeje penale që lidhet me kolegun e tij, Oleg Roldugin, i cili u arrestua në prill.
Roldugin përballet me akuzën për “akses të paligjshëm në informacionin e kompjuterizuar”, por autoritetet nuk kanë bërë publike hollësi të tjera. Ai e ka mohuar fajësinë, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA. Gazetari po pret gjyqin në arrest shtëpie; masa është zgjatur deri më 10 nëntor, raportoi “Novaya Gazeta”.
Mbyllja ndodh ndërsa Moska ka shtuar trysninë ndaj mediave dhe gazetarëve të pavarur. Pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Rusia ka forcuar kontrollin mbi median dhe lirinë e shprehjes. Kufizimet ndaj raportimit të pavarur kanë bërë që shumica e gazetarëve kritikë ndaj Kremlinit të largohen nga vendi.
Prej vitesh, “Novaya Gazeta” shihej si një nga bastionet kryesore të gazetarisë së pavarur në Rusi. Moska e ka klasifikuar gazetën si “agjent i huaj”, përcaktim që autoritetet ruse ua aplikojnë individëve dhe organizatave që i konsiderojnë të lidhura me ndikimin e huaj.
Pas nisjes së luftës në Ukrainë, gazeta u detyrua të kufizonte veprimtarinë brenda Rusisë. Në vitin 2022, autoritetet ia hoqën licencën e medias, duke penguar botimin e saj të zakonshëm.
Për dekada, “Novaya Gazeta” ka qenë një zë i rëndësishëm i gazetarisë investigative dhe kritikës në Rusi. Dmitry Muratov, ish-kryeredaktori i gazetës, mori Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2021, të cilin e ndau me gazetaren filipinase Maria Ressa.
Komiteti Nobel i vlerësoi Muratovin dhe Ressën për përpjekjet në mbrojtje të lirisë së shprehjes dhe gazetarisë së pavarur. Ndalimi i aktivitetit të “Novaya Gazeta” është një tjetër goditje për median e pavarur ruse, ndërsa hapësira për gazetarinë kritike ndaj pushtetit është ngushtuar ndjeshëm që nga fillimi i luftës në Ukrainë.






