Punonjësit e Policisë së Shtetit do të përfitojnë paga më të larta duke filluar nga 1 janari 2027. Rritja më e ndjeshme do të jetë për punonjësit me gradën inspektor, të cilëve paga bazë për gradë do t’u shtohet me 20 mijë lekë në muaj.
Nga 73 mijë lekë që është aktualisht, paga bazë e inspektorit parashikohet të arrijë në 93 mijë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 27.4%.
Ndryshime do të ketë edhe për punonjësit me grada më të larta. Për nënkomisarët, komisarët, kryekomisarët dhe drejtuesit, shtesa në pagën bazë do të jetë nga 10 deri në 15 mijë lekë, në varësi të gradës.
Sipas parashikimeve, nga kjo masë do të përfitojnë rreth 8 500 punonjës të Policisë së Shtetit.
Duhet theksuar se shifrat e bëra publike i referohen pagës bazë për gradë dhe jo shumës përfundimtare që punonjësit do të marrin në llogari, pasi në këtë vlerë nuk janë përfshirë shtesat për vjetërsi në punë, dietat apo pagesat për orët shtesë. Për realizimin e këtyre ndryshimeve, projektbuxheti ka parashikuar një fond prej 36.7 miliardë lekësh për sektorin e rendit.
