Taksa e pronës do të ndryshojë sërish, rritje e shkallës për apartamentet dhe vilat e dyta

Qeveria do të ndryshojë sërish shkallën e taksës për pronën në projektligjin për pasuritë e paluajtshme, i ripublikuar për konsultime publike në muajin nëntor 2025.
Drafti i parë për ndryshimin e shkallës së taksës dhe të ndryshimit të formulës së llogaritjes së detyrimit u publikua në vitin 2023.
Nga 0.05% që është aktualisht në fuqi shkalla e taksës së ndërtesës në projektligj u propozua rritja e shkallës në intervalet nga 0.1 deri në 0.2%.
Burime zyrtare konfirmuan për Monitor që sërish Ministria e Financave do të ndërhyjë, duke rritur shkallën e taksës për pronat rezidenciale. Burimet sqaruan se edhe propozimet e reja do të kufizohen me intervale, për të cilat ende nuk ka vlera konkrete të përcaktuara.
Pavarësisht rishikimit të shkallës me rritje nga propozimi fillestar, qeveria nuk parashikon të ndryshojë formulën për llogaritjen e tatimit.
Rishikimi i shkallës së taksës për banesat e dyta u paralajmërua nga Kryeministri Edi Rama në prezantimin e pikave kryesore të paketës fiskale.
“Një super-taksë prone për ata që blejnë e mbajnë apartamente bosh, duke refuzuar t’i japin me qera (është e drejta e tyre, po duhet të paguajnë njësoj siç po bëjnë në disa vende të tjera të Europës që po përballen me koston e rritur të apartamenteve); një super-taksë prone për vilat në bregdet, edhe ata duhet të paguajnë më shumë për pronën e tyre dhe një çmim i shumëfishuar për ujin e pishinave”, pohoi kryeministri Rama.
Pavarësisht rishikimit të shkallës me rritje nga propozimi fillestar, qeveria nuk parashikon të ndryshojë formulën për llogaritjen e tatimit.
Pra për banesën e parë do të vijojë të aplikohet zbritja e 50% të vlerës së pronës si e patatueshme, por që kjo vlerë nuk duhet të kalojë një prag, vlera e të cilëve përcaktohet sipas bashkive.
Pragu maksimal i zbritjes është propozuar të ndahet në 7 kategori bashkish.
Në kategorinë e parë është vendosur Bashkia e Tiranës me një prag të patatueshëm maksimal deri në 8.4 milionë lekë, nga 4.5 milionë lekë që u propozua në draftin e mëparshëm.
Ndërsa për pronat e dyta, projektligji nuk parashikon zbritje. Pra e thënë ndryshe apartamenti apo vila do të taksohet për të gjithë vlerën e saj me shkallët e reja të taksimit që pritet të ndryshojnë nga propozimet fillestare.
“Për banesat e tjera nuk do të zbatohet kjo lehtësi dhe taksa llogaritet mbi bazën e vlerës së tyre të plotë të taksueshme”, ka sqaruar më herët Drejtoria e Taksës së Pasurisë për Monitor.
Edhe prej këtyre ndryshimeve më të prekurit do të jenë pronarët e banesave të dytë, të vilave në bregdet apo të apartamenteve që qëndrojnë bosh në Tiranë, që mund të jenë prona që mbahen nga ndërtuesit.
Deri në dyfishim taksash për 3 milionë ndërtesa për banim, shembujt
Edhe në draftin e publikuar për konsultim publik në vitin 2023, parashikoj rritke e shkallës së taksës ku për ndërtesat rezidenciale niveli i taksës u propozua të luhatej në vlerat nga 0,1% në 0,2% nga 0,05 që aktualisht zbatohet. Për ndërtesat tregtare u propozua nivel takse nga 0,15% në 0,25% nga 0.2% që është aktualisht dhe për ndërtesat bujqësore dhe industriale, u propozua një nivel takse 0,15% në 0,25%.
Shtyhet me 2 vjet zbatimi i taksës së re për pasuritë e paluajtshme, pritet të nisë në 2028
Zbatimi i formulës së re për ndërtesat, sipas afateve që përcakton projektligji i publikuar për konsultim nga Financat, pritet të nisë nga 2029 dhe nga 2030 për trojet dhe tokën bujqësore.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme të reformës së taksës së pasurive të paluajtshme lidhet me bazën e llogaritjes së taksës. Të dhënat për 3 milionë pasuri të paluajtshme do të jenë të regjistruara në Kadastrën Fiskale.
Hedhja e këtyre të dhënave ndër vite ishte edhe arsyeja kryesore, që Ministria e Financave u tërhoq nga zbatimi i taksës së re pas draftit të propozuar në 2023.
Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë për llogaritjen e taksës më herët sqaroi për Monitor se vlera e vlerësuar e pasurisë do të pasqyrojë vlerën e përafërt të tregut të asaj pasurie.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









