Friday / October 30 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Lajmet Kryesore Nga Vendi

Dhoma Britanike kundër rritjes së taksave: Rrezikohen investimet, kërkon shtyrje deri në 5 vjet

Share Share Icon

Dhoma Britanike e Tregtisë në Shqipëri (BCCA) i kërkon qeverisë të rishikojë ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027, duke paralajmëruar se rritja e tatimit mbi dividendin, ndryshimet në TVSH dhe ulja e pragut të regjistrimit mund të rëndojnë bizneset, të ndikojnë investimet dhe të rrisin kostot për konsumatorët.

Dhoma propozon që ndryshimet më të rëndësishme të zbatohen gradualisht, gjatë një periudhe tranzitore prej tre deri në pesë vjet.

Dhoma Britanike e Tregtisë shpreh shqetësimin për efektet që mund të sjellë paketa e re fiskale në ekonominë shqiptare, veçanërisht në sektorët me investime afatgjata dhe kontrata të lidhura më parë.

Sipas BCCA-së, ndryshimet e propozuara nuk duhet të vlerësohen vetëm në funksion të të ardhurave shtesë që mund të sigurojë buxheti i shtetit, por edhe për ndikimin që mund të kenë në vendimet e investitorëve, financimin bankar, punësimin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me kohën e kufizuar që bizneset do të kenë për t’u përshtatur me ndryshimet. Propozimet janë paraqitur në fund të tetorit 2026, ndërsa hyrja e tyre në fuqi parashikohet më 1 janar 2027.

BCCA vlerëson se kjo periudhë mund të jetë e pamjaftueshme për rishikimin e planeve financiare, përshtatjen e sistemeve të kontabilitetit, rinegocimin e kontratave dhe sigurimin e financimeve të nevojshme.

Tatimi mbi dividendin nga 8% në 15%, kërkohet rishikimi i rritjes

Një nga kundërshtimet kryesore të Dhomës Britanike lidhet me propozimin për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.

Sipas organizatës, ndryshimi përfaqëson një ndërhyrje të rëndësishme në trajtimin fiskal të kthimit të kapitalit dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt vendimet e kompanive për shpërndarjen e fitimeve, riinvestimin dhe financimin e aktivitetit.

BCCA kërkon që qeveria të rishikojë propozimin dhe të shqyrtojë mundësinë e një rritjeje graduale, në vend të kalimit të menjëhershëm në normën 15%.

Në analizë duhet të merren parasysh edhe marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë, trajtimi i fitimeve të akumuluara dhe ndikimi te investitorët vendas dhe të huaj.

TVSH-ja 21%, paralajmërim për çmimet dhe konsumin

Një tjetër ndryshim që ngre shqetësime është propozimi për rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21%.

Dhoma Britanike kërkon një analizë të plotë të ndikimit që kjo masë mund të ketë mbi çmimet e produkteve dhe shërbimeve, fuqinë blerëse të konsumatorëve dhe konkurrueshmërinë e bizneseve.

Sipas saj, ndryshimet në normat e TVSH-së nuk mund të analizohen të izoluara, pasi efektet e tyre ndërthuren me njëra-tjetrën.

BCCA vlerëson pozitivisht objektivin për uljen e barrës së konsumit për produktet bazë ushqimore, por kërkon që të monitorohet nëse ulja e TVSH-së do të reflektohet realisht në çmimet përfundimtare.

Organizata kërkon që qeveria të vlerësojë efektin neto të të gjitha ndryshimeve të propozuara mbi inflacionin, konsumin, aktivitetin ekonomik dhe të ardhurat buxhetore.

Turizmi, shqetësim për rritjen e TVSH-së së akomodimit nga 6% në 10%

Një vëmendje e veçantë i kushtohet sektorit të turizmit, ku propozohet rritja e TVSH-së për shërbimet e akomodimit nga 6% në 10%.

Sipas Dhomës Britanike, kjo masë mund të ndikojë kontratat e lidhura paraprakisht për sezonet e ardhshme, marzhet operative të bizneseve dhe konkurrueshmërinë e Shqipërisë në tregun rajonal.

Problemi lidhet veçanërisht me kontratat turistike, ku çmimet mund të jenë përcaktuar përpara ndryshimeve fiskale.

Në këto raste, bizneset mund të mos kenë mundësi ta transferojnë menjëherë koston shtesë te klientët, duke u përballur me një reduktim të marzheve të fitimit.

Për këtë arsye, BCCA kërkon që ndryshimet të shoqërohen me dispozita kalimtare, veçanërisht për kontratat ekzistuese dhe investimet që janë tashmë në proces.

Ulja e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë, kosto të reja për bizneset e vogla

Dhoma Britanike ngre shqetësime edhe për propozimin që pragu i regjistrimit në TVSH të ulet nga 10 milionë në 5 milionë lekë.

Megjithëse kjo masë mund të zgjerojë bazën e tatimpaguesve, sipas BCCA-së ajo krijon njëkohësisht detyrime të reja administrative dhe financiare për bizneset e vogla.

Përfshirja e më shumë subjekteve në regjimin e TVSH-së kërkon kapacitete për deklarimin, kontabilitetin dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore.

BCCA paralajmëron gjithashtu se ulja e pragut mund të krijojë stimuj për fragmentimin artificial të aktivitetit ekonomik, nëse bizneset përpiqen të qëndrojnë nën kufirin e ri të regjistrimit.

Përpara miratimit të masës, organizata kërkon analizimin e kostove të përmbushjes së detyrimeve, kapaciteteve të administratës tatimore dhe ndikimit në likuiditetin e mikrobizneseve.

Ajo rekomandon që zgjerimi i bazës tatimore të shoqërohet me procedura më të thjeshta, digjitalizim të shërbimeve dhe mekanizma mbështetës për bizneset që regjistrohen për herë të parë në TVSH.

Ndryshimet fiskale mund të prekin kreditë dhe investimet ekzistuese

Përtej rritjes së normave tatimore, Dhoma Britanike paralajmëron edhe për pasojat që ndryshimet mund të kenë në financimin e projekteve ekonomike.

Sipas dokumentit, investimet në energji, telekomunikacion, turizëm, ndërtim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri kanë horizonte shumëvjeçare të kthimit të kapitalit.

Ndryshimet e paparashikuara të barrës fiskale mund të ndikojnë rentabilitetin e projekteve dhe aftësinë e kompanive për të realizuar investime të reja.

Një tjetër problem lidhet me kreditë bankare afatgjata, të cilat strukturohen mbi parashikimet e flukseve monetare dhe aftësisë së kompanive për të shlyer detyrimet.

Në raste të caktuara, ndryshimet fiskale mund të ndikojnë këta tregues dhe të krijojnë nevojën për rishikimin e kushteve të financimit.

BCCA paralajmëron se ndryshimet e shpeshta ose të papritura të politikave tatimore mund të ndikojnë edhe perceptimin e investitorëve të huaj për rrezikun rregullator në Shqipëri.

Kërkohet periudhë tranzitore nga tre deri në pesë vjet

Një nga propozimet më të rëndësishme të Dhomës Britanike është shtyrja e hyrjes në fuqi të masave strukturore që ndikojnë ndjeshëm investimet dhe kontratat ekzistuese.

Organizata kërkon shqyrtimin e një periudhe tranzitore prej tre deri në pesë vjet për ndryshimet me ndikim të lartë ekonomik, ose të një kalendari gradual të diferencuar sipas natyrës së secilës masë.

Për tatimin mbi dividendin rekomandohet një rritje në disa faza, ndërsa për sektorët me kontrata afatgjata dhe investime kapitale intensive kërkohen dispozita të posaçme kalimtare.

Sipas BCCA-së, këto dispozita duhet të mbrojnë, aty ku justifikohet, kontratat dhe investimet ekzistuese, pa cenuar parimet e trajtimit të barabartë dhe konkurrencës.

Dhoma Britanike i referohet gjithashtu vendimit nr. 52, datë 27 qershor 2024, të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me dispozita të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, si një referencë për rëndësinë e vlerësimit të ndikimit dhe kushteve të zbatimit të ndryshimeve fiskale.

Përpara rritjes së taksave, kërkohet luftë më e fortë kundër informalitetit

Në dokumentin e saj, BCCA thekson se rritja e normave tatimore, pa një vlerësim paralel të informalitetit dhe eficiencës së administrimit, mund të rëndojë në mënyrë disproporcionale bizneset që deklarojnë dhe paguajnë rregullisht detyrimet.

Për këtë arsye, organizata i kërkon qeverisë që, përpara miratimit të rritjeve të barrës fiskale, të shqyrtojë alternativa për zgjerimin e bazës efektive të tatueshme.

Këto përfshijnë forcimin e kontrolleve kundër informalitetit, përmirësimin e administrimit tatimor, thjeshtimin e procedurave, rimbursimin dhe kreditimin më efikas të detyrimeve tatimore, si dhe vlerësimin e lehtësive fiskale ekzistuese.

Një tjetër kërkesë është publikimi i analizave të plota të ndikimit të Paketës Fiskale 2027 mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto, inflacionin, investimet e huaja direkte, punësimin, konsumin dhe të ardhurat buxhetore.

BCCA kërkon gjithashtu analiza të posaçme për sektorët e telekomunikacionit, ndërtimit, turizmit, shëndetësisë private, energjisë dhe karburanteve.

Organizata kërkon që qeveria të sqarojë edhe përputhshmërinë e ndryshimeve me Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave dhe objektivat e reformave fiskale të ndërmarra në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Dhjetë kërkesat konkrete të Dhomës Britanike të Tregtisë për qeverinë

Në dokumentin zyrtar, BCCA i drejtohet Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Financave me dhjetë kërkesa konkrete, të cilat përfshijnë rishikimin e masave fiskale, shtyrjen e zbatimit dhe analizimin e ndikimit të tyre në ekonomi.

1. Rishikimin e rritjeve të propozuara të barrës tatimore, veçanërisht të tatimit mbi dividendin dhe normave të TVSH-së, duke vlerësuar ndikimin e tyre në konkurrueshmërinë, investimet dhe konsumin.

2. Shtyrjen e hyrjes në fuqi të masave strukturore që prekin ndjeshëm investimet, kontratat dhe planifikimin financiar të bizneseve, deri në përfundimin e analizave të ndikimit dhe të konsultimit publik.

3. Përcaktimin e periudhave kalimtare të arsyeshme, përfshirë shqyrtimin e një kalendari fazimi tre deri në pesëvjeçar për ndryshimet me ndikim të lartë ekonomik, sipas rezultateve të vlerësimit të ndikimit.

4. Publikimin e një vlerësimi të plotë të ndikimit ekonomik, fiskal dhe social, duke përfshirë efektet mbi PBB-në, inflacionin, investimet e huaja direkte, punësimin, të ardhurat buxhetore dhe sektorin financiar.

5. Vlerësimin me përparësi të alternativave ndaj rritjes së normave tatimore, përmes zgjerimit të bazës së tatueshme, reduktimit të informalitetit dhe përmirësimit të eficiencës së administrimit të të ardhurave.

6. Rishikimin e propozimit për uljen e pragut të TVSH-së, duke e kushtëzuar zbatimin me një analizë të kapaciteteve administrative, kostove të pajtueshmërisë dhe ndikimit mbi bizneset e vogla.

7. Parashikimin e dispozitave kalimtare të qarta për kontratat ekzistuese, investimet e miratuara, projektet në zhvillim, financimet bankare dhe marrëdhëniet juridike që mund të preken në mënyrë të konsiderueshme.

8. Kryerjen e analizave sektoriale të posaçme për telekomunikacionin, ndërtimin, turizmin, shëndetësinë private, energjinë, karburantet dhe sektorë të tjerë me investime kapitale intensive.

9. Zhvillimin e një procesi konsultimi publik të mirëfilltë, me kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e projektakteve, publikimin e analizave mbështetëse dhe dhënien e përgjigjeve të arsyetuara ndaj komenteve të palëve të interesuara, në përputhje me legjislacionin për njoftimin dhe konsultimin publik.

10. Sqarimin e përputhshmërisë së Paketës Fiskale 2027 me Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, si dhe publikimin e argumentimit për çdo ndryshim të propozuar nga objektivat dhe afatet e saj.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

OST 8.2 mln euro për zgjerimin e kapaciteteve të transmetimit të energjisë në Tiranë

Rrjeti i transmetimit të energjisë në kryeqytet do të zgjerohet përmes një investimi prej rreth 745 milionë lekësh apo rreth 8.2 milone euro në nën...

1 hour më parë 3 Min Lexim

Dhoma Italiane e Tregtisë për Paketën Fiskale 2027: Duhet parashikueshmëri për biznesin

Dhoma Italiane e Tregtisë në Shqipëri (CCIA) ndjek hartimin e Paketës Fiskale 2027, me vëmendje ndaj efekteve mbi bizneset, investimet dhe marrëdhë...

1 hour më parë 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!