Avni Arifi nga Aleanca ka reaguar pas konferencës së sotme për media të ministres së Drejtësisë, Donika Gervalla dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për vrasjen e Arlinda Zekaj, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe dorëheqjen e tyre nga detyra.

Arifi e ka cilësuar konferencën si të papërshtatshme në raport me qytetarët e Kosovës, duke kritikuar mënyrën se si ministrat prezantuan informacionet dhe u përgjigjën lidhur me rastin.


“ Kjo ishte një konferencë, thënë më së buti, shumë e poshtër e dy ministrave në raport me qytetarët e Kosovës. Të dy konfirmuan dhe flisnin për informacione të cilat qytetarët i kanë mësuar nga mediat”, ka deklaruar Arifi.

Ai ka thënë se, sipas Aleancës, përgjegjësia politike për situatën është e qartë dhe se të dy ministrat duhet të japin dorëheqje, jo vetëm për arsye morale, por edhe për shkak të asaj që ai e konsideron dështim në ushtrimin e funksioneve të tyre.

“Ne si Aleancë nuk kemi asnjë konkluzion tjetër, përveçse ekziston një përgjegjësi e qartë politike. Kjo përgjegjësi duhet të adresohet dhe si ministrja, ashtu edhe ministri duhet të japin dorëheqje. Jo vetëm për arsye morale, por sepse kanë qenë jokompetentë në kryerjen e funksioneve të tyre”, është shprehur ai.

Arifi ka bërë të ditur gjithashtu se Aleanca e mbështet protestën e paralajmëruar në Prishtinë, duke theksuar se, sipas tij, nuk mund të ketë drejtësi nëse vazhdohet me të njëjtën qasje dhe sjellje nga institucionet.

Duke folur për zhvillimet e fundit, Arifi ka komentuar edhe dorëheqjen e drejtorit të Për gjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Ai tha se kryeministri Albin Kurti po krijon një lloj mburoje politike rreth Sveçlës.

“Ai nuk e ka bërë vetë një komunikatë për të arsyetuar se cilat janë arsyet. Po duket që Kurti po krijon një mburojë rreth Sveçlës dhe duket sikur Hoxha është kurban i këtij rasti. Po ashtu, duket sikur ia kanë kërkuar këtë dorëheqje”, ka deklaruar Arifi. /Telegrafi/