Një ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2021 në Rrugën e Kombit, në Mirditë, është zbardhur pjesërisht nga Policia e Lezhës. Një 36-vjeçar nga Puka Ndrecë Kola është identifikuar si një nga autorët e dyshuar të një grabitjeje me armë zjarri dhe është shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur më 31 gusht 2021, kur një qytetari i është marrë një shumë parash nën kërcënimin e armës së zjarrit.
Pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, është bërë i mundur identifikimi i 36-vjeçarit, banues në Pukë, si një nga personat e dyshuar për përfshirjen në grabitje.
Gjykata e Lezhës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Gjatë hetimeve është identifikuar edhe një person tjetër, i dyshuar si i përfshirë në ngjarje, por për arsye hetimore nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme.











