Pa mbushur 24 orë nga vendimi që uli çmimin e naftës me 1 lek, Bordi i Transparencës ka ndërhyrë sërish, këtë herë duke rritur çmimin tavan të tregtimit me pakicë të saj 6 lekë. Sipas tavanit të ri të çmimit të vendosur, një litër naftë do të shitet me pakicë nga 218 lekë dhe me shumicë jo më shumë se 206 lekë. E kundërta ka ndodhur me çmimin e shitjes së benzinës, që është ulur me dy lekë si në tregun e shumicës, ashtu edhe në atë të pakicës. Sipas çmimeve të reja, një litër benzinë nuk do të shitet më shumë se 179 lekë me pakicë dhe jo më shumë se 167 lekë me shumicë. Bordi thotë se çmimet e vendosura do të jenë në fuqi deri në një vendim të ri dhe se niveli tavan i tyre përcaktohet në bazë të luhatjes në bursat ndërkombëtare.