Barcelona po shqyrton mundësinë e afrimit të një qendërmbrojtësi gjatë merkatos së janarit, çështje që trajneri Hansi Flick konfirmoi se është diskutuar me drejtuesit e klubit. Flick bëri të ditur në konferencën për shtyp para ndeshjes me Alavés se përforcimet e mundshme do të varen nga nevojat e skuadrës dhe nga mundësitë ekonomike të klubit, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret në javët në vijim. Ai tha se tema është diskutuar me Decon, Bojanin dhe stafin e tij dhe se klubi ka akoma disa javë deri në hapjen e merkatos për të vendosur.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Barcelona po shqyrton tregun për të gjetur profilin e duhur në repartin mbrojtës, por çdo afrimit do të varet edhe nga situata financiare dhe nga largimet e mundshme të lojtarëve që mund të krijojnë hapësirë në buxhet. Flick theksoi gjithashtu se mungesat në mbrojtje kanë ndikuar në performancën e skuadrës, duke përmendur disa të dëmtuar: Jules Koundé, Xavi Espart, Dani Olmo, Eric Garcia dhe Andreas Christensen.
Trajneri u ndal edhe te dy humbjet e fundit ndaj PSG-së dhe Real Madridit, duke u përpjekur të ulë presionin mbi skuadrën. Ai pranoi se disfata në El Clasico ishte e vështirë për t’u përjetuar, por shtoi se Barcelona duhet të pranojë humbjen, të mësojë prej saj dhe të vazhdojë punën, pasi sezoni është ende i gjatë dhe titujt mund të fitohen më vonë.
Për sfidën ndaj Alavés, Flick nuk e përjashtoi mundësinë që Frenkie de Jong të përdoret në rol qendërmbrojtësi, duke vënë në dukje se aktualisht Barcelona disponon vetëm dy lojtarë natyralë për këtë pozicion: Pau Cubarsín dhe Gerard Martínin. Ai theksoi nevojën për zgjidhje dhe përpjekjen e stafit për të dhënë më të mirën, ndërsa objektivi kryesor për ndeshjen e ardhshme mbetet marrja e tri pikëve.
