Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i është përgjigjur zyrtarisht kërkesës së deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi për të dhënë shpjegime mbi transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Sipas burimeve të Report Tv, në përgjigjen e tij ministri ka bërë të ditur se ka urdhëruar një inspektim për të verifikuar procedurat e ndjekura dhe se është në pritje të përfundimit të tij.
Veliaj u transferua dy ditë më parë nga burgu i Durrësit, ku qëndronte që prej shkurtit të vitit të kaluar, drejt institucionit të vuajtjes së dënimit në Fier.
Lëvizja shkaktoi reagime dhe pikëpyetje, pasi kryebashkiaku dhe avokati i tij deklaruan se nuk ishin njoftuar paraprakisht dhe se nuk u ishte vënë në dispozicion asnjë dokument zyrtar që të shpjegonte vendimin.
Çështja u diskutua edhe brenda grupit parlamentar socialist. Kreu i Komisionit të Sigurisë, Bledi Çuçi, kërkoi shpjegime nga ministri Gogu, duke ngritur shqetësime për respektimin e të drejtave të njeriut.
Më pas, së bashku me kreun e Komisionit për Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj, ai i dërgoi ministrit një kërkesë zyrtare për informacion mbi procedurat e transferimit dhe zbatimin e protokolleve për raste të tilla.
Përgjigjja e Gogut, e firmosur këtë të premte dhe e dërguar në Kuvend, konfirmon në vija të përgjithshme qëndrimin e tij se për rastin është urdhëruar një inspektim dhe se ministria pret rezultatet përfundimtare.
Sipas burimeve të Report Tv, ministri ka theksuar gjithashtu se, në bazë të ligjit, përgjegjësia e drejtpërdrejtë për transferimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve i takon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Kjo drejtori reagoi një ditë më parë, duke deklaruar se urdhri për transferimin e Veliajt është klasifikuar si “sekret shtetëror”.
Ky qëndrim ka ngritur pikëpyetje mbi bazën ligjore të klasifikimit, pasi, sipas materialit të publikuar, as ligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve” dhe as rregullorja e burgjeve nuk parashikojnë shprehimisht një klasifikim të tillë për urdhrat administrativë të transferimit.
Rregullat për transferimin parashikojnë se ai mund të bëhet me kërkesë të të burgosurit, të prokurorit të çështjes ose të drejtorit të institucionit të vuajtjes së dënimit. Në rastin e Veliajt, deri më tani është bërë e ditur se ai nuk ka paraqitur kërkesë për transferim.
Avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndrecaj, deklaroi se vendimi për transferimin e klientit të tij është politik, duke e cilësuar atë si “një thikë pas shpine”. Ndërkohë, pritet që inspektimi i urdhëruar nga ministri i Drejtësisë të sqarojë procedurat e ndjekura dhe përgjegjësitë për këtë vendim.