KPK sqaron vendimin për suspendimin e prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka bërë publike bazën e vendimit për suspendimin e Arlinda Nallbani-Gacaferrit, zëvendëskryeprokurore në Prokurorinë Themelore të Pejës dhe koordinatore për dhunën në familje.

Në arsyetimin e KPK-së thuhet se ajo ishte në dijeni që më 22 tetor 2026 ishte shkelur urdhri mbrojtës për Arlinda Zekajn. Po ashtu, në banesën e Zekajt qëndronin persona të tjerë, mes tyre Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen e saj.

Të lidhura

None found

Sipas Këshillit, Policia e kishte informuar prokuroren për rastin. Gjatë intervistimit, Zekaj kishte deklaruar se Sylaj e kishte kërcënuar duke i thënë: “Largomu, largomu se të mys”.

Vendimi vëren se Nallbani-Gacaferri kishte kërkuar që Sylaj të merrej në pyetje si dëshmitar, pa e trajtuar kërcënimin e drejtpërdrejtë si rrethanë që duhej të nxiste vlerësimin e rrezikut për viktimën.

KPK-ja konsideron se, edhe pse ishte njoftuar për kërkesat urgjente të Zekajt dhe rrezikun ndaj saj, prokurorja nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për ta mbrojtur.

Arsyetimi përmend gjithashtu se gjatë trajtimit të rastit ajo nuk kishte marrë parasysh provat dhe faktet, si dhe kishte shkelur detyrimet për profesionalizëm e përgjegjshmëri.

Më 29 tetor, KPK-ja kishte marrë vendim edhe për suspendimin e kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetaj. Po atë ditë, nga detyra u suspenduan edhe 11 zyrtarë policorë të hierarkisë komanduese në Pejë.

Një ditë më vonë, më 30 tetor, kryeministri Albin Kurti pranoi dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha.

Këto masa dhe zhvillime erdhën pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.


Shtuar më 30.10.2026 14:54

Quantcast