Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, i ftuar në emisionin Minuta e parë ka ngritur shqetësime për efektet e Paketës Fiskale 2027, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, ndryshimet e parashikuara rrezikojnë të shtojnë evazionin fiskal dhe kostot administrative për bizneset. Buxhuku paralajmëron se rritja e TVSH-së në 21% përbën një goditje të rëndë për bizneset dhe ekonominë shqiptare.

Ai shprehet gjithashtu se ulja e TVSH-së për produktet e shportës mund të mos reflektohet në çmimet për konsumatorët, për shkak të monopoleve dhe mungesës së konkurrencës në treg. Sipas tij, përfitimet nga lehtësimi fiskal mund të përfundojnë te fitimet e kompanive dhe jo te qytetarët.

Kreu i Konfindustria, Gjergj Buxhuku: Këto ndryshime mund të rrisin evazionin fiskal. Në qoftë se administrata do shohë sesa do të zbatohet ligji në praktikë, që për mua është e diskutueshme, thjesht do shtohen kostot administrative.

Bizneset dhe qytetarët janë të rrezikuar nga kjo paketë fiskale. Sa i përket produkteve të shportës, ulja e TVSH-së në parim është e mirëpritur. Por këtu ndërhyn ekonomia që kemi ne, që nuk është normale. Ekonomia shqiptare është e kapur, përfshirë dhe ekonominë e sektorit ushqimor, që janë të importuara. Ekonomia shqiptare ka monopole dhe oligopole, nuk ka konkurrencë. Ekziston mundësia që çmimet e ushqimeve mos të ndryshohen fare.

Këtë duhet ta shikojmë. Edhe ulja e barrës fiskale thjesht mund të rrisë fitimet e kompanive dhe mos ketë përfitime qytetari fundor. TVSH 21 për qind është goditja e madhe për bizneset dhe ekonominë shqiptare. Kjo është goditje edhe për bizneset vetë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: