Presidenti i Republikës dekretoi datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të zhvillohen brenda periudhës zgjedhore të pranverës, që përfshin katër të dielat midis 15 prillit dhe 15 majit.
Për caktimin e datës, Presidenti thirri në konsultë gjithë faktorin politik të përfaqësuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, si përfaqësues të organit përgjegjës për zgjedhjet në vend. Thirrjes iu përgjigj Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Subjektet e tjera nuk morën pjesë në konsultë dhe nuk bënë publik ndonjë parapëlqim lidhur me datën e zgjedhjeve.
Sipas njoftimit, subjektet e përfshira në konsultë ishin të hapura për secilën zgjidhje. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve sugjeroi datën 9 maj 2027, duke argumentuar se kjo datë jep më shumë kohë për masat zbatuese. Partia Socialdemokrate gjithashtu parapëlqeu të njëjtën datë. Njoftimi sqaron se data 9 maj 2027 nuk është e lidhur me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizim të palëve të caktuara, apo për ndikim potencialisht të dëmshëm në vullnetin e lirë dhe të pandikuar të zgjedhësve.
Duke u bazuar në këto rrethana, Presidenti i Republikës i dha forcë juridike vendimit për datën 9 maj 2027 si datë zyrtare të zhvillimit të zgjedhjeve lokale. Në të njëjtin njoftim, Presidenti ftoi subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë në lartësinë e këtij procesi demokratik themelor.
Presidenti kërkoi që palët të zhvillojnë një proces konkurrues, të drejtë, të përkushtuar dhe të besnik ndaj ligjit; të respektojnë me vetëdije kuadrin ligjor dhe barazinë e armëve; si dhe të bashkëpunojnë pa rezerva me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e një procesi shembullor dhe në përputhje me standardet më të larta për një shoqëri demokratike.
