Vendosni fjalën kyçe....

Begaj dekreton 9 majin 2027 si datën e zgjedhjeve vendore


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Vendimi vjen pas konsultimeve me përfaqësues të partive politike parlamentare dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen brenda periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela nga 15 prilli deri më 15 maj.

Në njoftimin zyrtar, Presidenca bëri të ditur se Presidenti Begaj kishte ftuar në konsultime të gjithë faktorët politikë të përfaqësuar në Kuvend, si dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Ftesës iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa subjektet e tjera opozitare vendosën të mos merrnin pjesë dhe nuk paraqitën një datë të preferuar për zgjedhjet.

Sipas Presidencës, subjektet që morën pjesë në konsultime u shprehën të hapura për çdo datë.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve sugjeroi 9 majin 2027, duke argumentuar se caktimi i kësaj date, si e diela e fundit e periudhës zgjedhore, do t’u jepte institucioneve më shumë kohë për përgatitjet dhe masat e nevojshme për organizimin e procesit. Edhe Partia Socialdemokrate shprehu preferencën për këtë datë.

Presidenca theksoi se 9 maji nuk lidhet me ndonjë rezervë apo paragjykim për favorizimin e palëve të caktuara dhe as me ndikim të mundshëm në vullnetin e lirë të zgjedhësve. Në këto kushte, Presidenti vendosi t’i japë fuqi juridike kësaj date përmes dekretit.

Në përfundim, Begaj u bëri thirrje partive politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë që përmbushin standardet e një procesi demokratik.

Ai kërkoi që palët të garantojnë konkurrencë të drejtë, të respektojnë kuadrin ligjor dhe parimin e barazisë së armëve, si dhe të bashkëpunojnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e një procesi në përputhje me standardet më të larta demokratike.

D748b36e 9a49 4ffe A81e 6e0d667c4e57