Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka hapur samitin e G20 në Atlanta të SHBA-së, ku pjesëmarrës është edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Në fjalimin e hapjes, Rubio e cilësoi këtë periudhë si një “moment përcaktues” për botën, duke theksuar se vendet po përballen me kriza të ndërlidhura ekonomike dhe gjeopolitike, të cilat, sipas tij, kërcënojnë themelet e rendit ekonomik global.
Megjithatë, takimi nisi me një zhvillim që pasqyron ndasitë mes vendeve pjesëmarrëse. Fotoja tradicionale familjare e samitit u anulua, pasi përfaqësuesit evropianë nuk pranuan të pozonin së bashku me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
"Jemi në një moment kritik, do ta quaja një moment zgjedhjeje, dhe do të thoja jo vetëm për vendin tim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por sinqerisht, për botën. Po përballemi me një sërë krizash të ndërlidhura ekonomike dhe gjeopolitike”, tha ai, duke treguar ndërprerjet në furnizimin global me energji dhe ushqim, tregtinë dhe lirinë e lundrimit.
Takimi zhvillohet në një klimë tensionesh të larta gjeopolitike, me mosmarrëveshje për luftën në Ukrainë, situatën në Iran dhe rritjen e çmimeve të naftës. Samiti, që mbahet sot dhe nesër në shtetin e Xhorxhias, vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA.
Ai synon gjithashtu të përgatisë terrenin për takimin e nivelit të lartë të G20, që Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të organizojë në mesin e dhjetorit në klubin e tij të golfit pranë Majamit, në Florida.






Komente
Komento