Presidenti Bajram Begaj dekretoi datën 9 maj 2027 për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Sipas njoftimit të shpërndarë nga Presidenca, data e zgjedhjeve lokale u caktua nga presidenti Begaj pas konsultave të kryera me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, atë të Partisë Socialdemokrate si dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve. Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare nuk morën pjesë në konsultë.
Sipas Presidencës, data 9 maj u sugjerua fillimisht nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve me arsyetimin se jep më shumë kohë për masat zbatuese dhe “u parapëlqye gjithashtu nga Partia Socialdemokrate”.
“Me këtë rast, Presidenti i Republikës fton subjektet politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë në lartësinë e këtij procesi themelor demokratik…,” thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.
Zgjedhjet lokale të 9 majit 2027 pritet të zhvillohen sërish në një klimë të tensionuar politike si pasojë e protestave 5-mujore antiqeveritare përmes së cilave kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Zgjedhjet pritet të zhvillohen në 46 bashki të vendit në përputhje me hartën e re territoriale të miratuar në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca socialiste, pavarësisht kundërshtimeve nga komunitetet lokale dhe përfaqësues të opozitës.






