Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka komentuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 dekretimin e 9 majit 2027 si datë për zgjedhjet vendore, protestat e studentëve, paketën e re fiskale dhe zhvillimet e fundit politike në vend.
Duke komentuar vendimin e Presidentit për datën e zgjedhjeve, Muçollari e cilësoi reagimin e tij të vonuar dhe jashtë ritmit të zhvillimeve politike e shoqërore. Sipas përfaqësuesit të PD-së, kreu i shtetit kishte mundësinë të angazhohej më herët përmes konsultimeve dhe të bëhej pjesë e përpjekjeve për zgjidhjen e krizës së besimit ndaj institucioneve.
Muçollari u ndal veçanërisht te protestat e studentëve dhe të rinjve, duke deklaruar se vendi ndodhet përballë një revolte shoqërore që nuk kufizohet vetëm te pjesëmarrësit në shesh. Sipas tij, dhuna policore ndaj protestuesve ka sjellë një reagim të gjerë në opinionin publik, ndërsa pakënaqësia lidhet edhe me aferat e korrupsionit, problemet në arsim e shëndetësi dhe gjendjen ekonomike.
Duke komentuar paketën e re fiskale, anëtari i Kryesisë së PD-së e cilësoi atë një lëvizje të nxituar të qeverisë, me pasoja për bizneset dhe qytetarët. Ai pretendoi se rritja e tatimfitimit, tatimit mbi dividendin dhe TVSH-së do të rëndojë sektorin privat, do të ndikojë në rritjen e çmimeve dhe do të pakësojë mundësitë për rritjen e pagave.
Muçollari deklaroi se ulja e TVSH-së për 54 produkte nuk do të sjellë domosdoshmërisht përfitime për konsumatorët, duke argumentuar se struktura oligopoliste dhe monopoliste e një pjese të tregjeve mund të pengojë reflektimin e uljes së taksës në çmimet përfundimtare.
Ai e lidhi mënyrën e hartimit të paketës fiskale me atë që e cilësoi panik të qeverisë përballë zhvillimeve të fundit dhe protestave që, sipas tij, kanë dëmtuar imazhin politik të kryeministrit Edi Rama.
I pyetur për protestën kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike, Muçollari sqaroi se tubimi i nesërm në orën 12:00 do të jetë në mbështetje të studentëve dhe jo një protestë tipike e organizuar nga PD-ja. Ai theksoi se opozita nuk synon të marrë protagonizmin e lëvizjes studentore, por kërkon të jetë pranë protestuesve dhe të kontribuojë në mbrojtjen e tyre nga dhuna policore dhe keqtrajtimet.
Sipas tij, demokratët dhe funksionarët e PD-së duhet të jenë në shesh, duke nënvizuar se mbështetja e studentëve është një detyrim për opozitën. Muçollari solli në vëmendje edhe protestën e “Flamingove”, si shembull të bashkëjetesës së faktorëve të ndryshëm opozitarë, pavarësisht dallimeve politike.
Ai bëri të qartë se PD-ja nuk do të zhvillojë një protestë me skenarët e zakonshëm partiakë, por do të qëndrojë në mbështetje të plotë të studentëve, pa u përpjekur të marrë drejtimin apo protagonizmin e tyre.
