Vendosni fjalën kyçe....

Policia skoceze heton vizitat e Andrew, Epstein dhe Maxwell në kështjellën Balmoral


Policia e Skocisë ka nisur hetimet për aktivitetet e Andrew Mountbatten-Windsor, Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell gjatë vizitave të tyre në kështjellën Balmoral, rezidenca mbretërore në Aberdeenshire.

Hetimi lidhet me pretendimet se gra mund të jenë trafikuar drejt kësaj rezidence.

Lajmi u raportua fillimisht nga gazeta “Daily Express”, ndërsa Policia e Skocisë konfirmoi se ka marrë informacione dhe po kryen verifikime. Autoritetet theksuan se hetimi ndodhet në një fazë shumë të hershme dhe se për momentin nuk mund të japin detaje të tjera, përcjell BBC.

“Kemi marrë informacion dhe po zhvillojmë hetime aktive, por ato janë ende në një fazë shumë të hershme. Të gjitha hetimet bazohen në prova, duke vendosur në qendër nevojat e viktimave dhe të personave që kanë mbijetuar nga abuzimi. Ne nuk konfirmojmë detaje të hetimeve në vazhdim dhe nuk do të ishte e përshtatshme të komentonim më tej”, deklaroi një zëdhënës i policisë.

Epstein, financier i dënuar për vepra seksuale, i cili vdiq në burg në vitin 2019, dhe Ghislaine Maxwell, e dënuar në vitin 2022 me 20 vite burg për rolin e saj në trafikimin seksual të vajzave, dyshohet se kanë vizituar kështjellën së bashku me Andrew Mountbatten-Windsor. Ky i fundit ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje ligjore në lidhje me marrëdhënien e tij me Epstein.

Sipas “Daily Express”, të dhënat e fluturimeve tregojnë se më 1 shtator 2006, Andrew dhe Maxwell udhëtuan me avionin privat të Epstein nga Luton drejt Edinburgut, së bashku me dy pasagjerë të tjerë.

Një fotografi e Epstein dhe Maxwell në kështjellën Balmoral u publikua gjithashtu nga prokurorët amerikanë gjatë gjyqit të Maxwell për trafikim seksual.

Mendohet se imazhi është realizuar në vitin 1999, kur Andrew dyshohet se kishte ftuar çiftin të qëndronte në rezidencën mbretërore. Sipas raportimeve, Epstein dhe Maxwell ishin vizitorë të shpeshtë në rezidencat mbretërore në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000.

Në dokumentet e njohura si “Dosjet Epstein”, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara vitin e kaluar, u zbulua edhe një email i dërguar nga një person i identifikuar me shkronjën “A” drejt Maxwell. Mesazhi, i dërguar më 16 gusht 2001, niste me fjalinë: “Jam këtu në kampin veror të familjes mbretërore në Balmoral”. Më tej, dërguesi e pyeste Maxwell: “Si është Los Angeles? A më ke gjetur disa miq të rinj të papërshtatshëm?” Emaili përfundonte me firmën “Shihemi, A xxx”.

Në shkurt, Policia e Skocisë kishte bërë gjithashtu thirrje publike për të kontaktuar këdo që kishte informacion mbi përdorimin e aeroportit të Edinburgut nga avioni privat i Epstein. Në atë kohë, policia deklaroi se nuk kishte marrë ende raportime apo ankesa lidhur me atë udhëtim.

Jeffrey Epstein vdiq në moshën 66-vjeçare në vitin 2019, në një burg amerikan, ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual. Ghislaine Maxwell, 60 vjeçe, u dënua me 20 vite burg në vitin 2022 për rolin e saj në sigurimin e vajzave për Epstein.

Ndërkohë, Andrew Mountbatten-Windsor është përballur me pasoja të tjera pas publikimit të dokumenteve. Në tetor të vitit të kaluar iu hoq titulli “princ” dhe u njoftua se do të largohej nga rezidenca e tij në Windsor, Royal Lodge.

Në shkurt u arrestua nën dyshimin për shpërdorim të detyrës publike, pas informacioneve të publikuara në dosjet Epstein, por më vonë u la i lirë.

Në fillim të këtij muaji u bë e ditur se ai kishte nisur veprime ligjore kundër Policisë së Thames Valley lidhur me urdhër-kontrollet e lëshuara përpara arrestimit të tij.

Përfaqësuesve të Andrew Mountbatten-Windsor u është kërkuar një koment lidhur me hetimin e fundit, por deri në publikimin e raportimit nuk ishte bërë e ditur ndonjë përgjigje.