Për të monitoruar reagimin e policisë ndaj protestuesve, ministri Ervin Demo në një konferencë për shtyp bëri me dije se do të vendosen në funksion kamerat e trupit, fillimisht për Policinë e Tiranës. Ky hap vjen për të dokumentuar veprimet e policisë dhe për të rritur transparencën gjatë ndërhyrjeve.
“Një gjë është e sigurt, nga këto protesta ne kemi konstatuar që nevoja për fuqizimin teknologjik të Policisë së Shtetit tashmë është imperative dhe ne do të punojmë fuqimisht që të ecim me hapa të shpejtë për sa i përket përdorimit të teknologjisë në punën që ushtron Policia e Shtetit. Unë do të doja të përmendja një element të parë, që do të jetë shumë i rëndësishëm për sa i përket transparencës së veprimeve të Policisë së Shtetit që janë kamerat e trupit që ne shumë shpejt do t'i vendosim në funksion duke filluar me punonjësit e Policisë së Shtetit në Bashkinë e Tiranës, ku do të kemi tashmë përdorimin e këtyre imazheve për të faktuar edhe dhunën apo veprave jo të ligjshme, që ndërmerren nga individë të caktuar, por në të njëjtën kohë, për të garantuar që veprimet e Policisë së Shtetit janë gjithmonë brenda kornizës ligjore.
Ne jemi duke parë mundësinë për të fuqizuar si komunikimin brenda strukturave të Policisë së Shtetit me radiot e reja, por dhe mjetet e reja të teknologjisë dixhitale për sa i përket punës investigative që Policia e Shtetit ndërmerr. Këtu do të doja të përmendja një fakt për sa i përket teknologjisë që tashmë ne jemi duke përdorur, për të ndihmuar Policinë e Shtetit në evidentimin e elementëve të dhunshëm gjatë protestës, sidomos atyre elementëve të cilët janë të maskuar”, tha Demo.
Gjatë konferencës për shtyp ministri publikoi edhe pamjet e protestuesve me maska që kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, bizneseve private dhe punonjësve të policisë gjatë protestave. Demo theksoi se falë teknologjisë, është bërë i mundur identifikimi i tyre dhe materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.
“Siç e shikoni edhe nga materialet, këto janë disa prej shembujve, të cilët ne tashmë kemi identifikuar. Materiali i është referuar Prokurorisë së Tiranës, ku qartazi duken individë që të maskuar kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, kanë ushtruar dhunë ndaj bizneseve private, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, por ndërkohë falë teknologjisë ne tashmë kemi evidentuar identitetin e tyre dhe janë duke u ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për sa i përket përgjegjësisë ligjore, penale që këta individë duhet të kenë.
Këtu unë do të doja t'i bëja një thirrje dhe Prokurorisë së Tiranës dhe gjykatës, për një përgjigje uniforme në mbrojtje të shtetit, pronës, sigurisë kolektive, ku ata elementë, të cilët realisht kanë kryer dhunë mbi kryeqytetin e shqiptarëve, patjetër të kenë një standard për sa i përket përgjegjësisë ligjore që ata duhet të përballen”, tha Demo.
Kryepolici Skënder Hita bëri me dije se janë 52 persona të maskuar që janë identifikuar duke kryer akte të dhunshme.
Nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike, deri më tani janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në akte të dhunshme, pavarësisht përpjekjeve për të fshehur identitetin përmes maskimit", tha Hita.
Lajmi kryesor:
Protestat e dhunshme, Demo: 347 të lënduar, prej tyre 201 policë! U përdorën të miturit, 269 të shoqëruar! Kemi identifikuar ‘maskat’, së shpejti kamera trupi për efektivët








