Bilanci i protestave, Demo: 200 policë dhe 107 protestues të lënduar, dhuna ka qenë e paprecedentë

30 Tetor 2026 | 16:17

Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka dalë në një konferencë për shtyp, së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ku kanë bërë bilancin e protestave të fundit në Tiranë.

Gjatë deklaratës së tij, Demo tha se niveli i dhunës ka qenë i paprecedentë, ndërsa bëri të ditur se në total janë regjistruar 347 të lënduar. Sipas tij, rreth 200 prej tyre janë punonjës të Policisë së Shtetit, 107 protestues dhe 39 kalimtarë, përfshirë edhe një numër gazetarësh.

“Dhuna ka qenë në nivele të paprecedenta. Javët e fundit kanë qenë sfiduese përballë dhunës së tejskajshme dhe bilancit negativ të të lënduarve. Në total janë 347 të lënduar, një numër që tregon se intensiteti i dhunës ka qenë si asnjëherë më parë. Nga këta, rreth 200 janë punonjës të Policisë së Shtetit, 107 protestues dhe 39 kalimtarë, përfshirë edhe një numër të konsiderueshëm gazetarësh. Këto shifra janë një kambanë alarmi për të gjithë, sa i përket nivelit të dhunës, por edhe trajtimit proporcional që policia ka bërë gjatë menaxhimit të kësaj proteste. Qëndrimi i Ministrisë, por edhe i strukturave të policisë, është se ne garantojmë të drejtën e të gjithë qytetarëve për të protestuar paqësisht. Angazhimi ynë është i qartë: kur konstatohet dhunë, ndërhyhet në mënyrë proporcionale. Në rastet kur punonjësit e policisë kanë kryer veprime të tejkaluara, ne kemi marrë masa. Kemi pezulluar shtatë punonjës, të cilët janë nën hetim për veprimet e tyre. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po punon edhe për dhjetëra raste të tjera të referuara nga qytetarët. Ndërkohë, bashkëpunojmë edhe me Prokurorinë për hetimin e këtyre rasteve. Kjo tregon qartë angazhimin tonë për transparencë dhe standarde në marrëdhënien mes policisë dhe qytetarëve. Policia nuk është për t’u përballur dhunshëm me qytetarët, por për të garantuar sigurinë. Kemi konstatuar dhunë jo vetëm ndaj institucioneve shtetërore, por edhe ndaj atyre private. Do të jemi shumë të qartë se roli ynë është garantimi i sigurisë dhe ruajtja e proporcionalitetit. Policia ishte edhe nën një sulm dhe presion në media dhe rrjetet sociale, ku individë të caktuar kanë përdorur hapësirën publike për identifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ne e dënojmë këtë dhe do të ndjekim hapat ligjorë për të mbrojtur efektivët, në mënyrë që ata të kryejnë detyrën e tyre”, deklaroi ministri Ervin Demo.

Ministri njoftoi gjithashtu se në projektbuxhetin e vitit 2027 është parashikuar një trajtim i ri financiar për punonjësit e policisë. Sipas tij, paga bazë do të rritet me 20 mijë lekë të reja, ndërsa pagat e punonjësve të tjerë do të rriten me 15 mijë lekë të reja.

“Kemi dorëzuar në Parlament projektbuxhetin e vitit 2027, ku përfshihet një trajtim i ri për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit. Sa i përket nivelit bazë të pagës, ajo do të rritet me 20 mijë lekë të reja, ndërsa për të tjerët me 15 mijë lekë të reja. Është një trajtim më se i merituar për angazhimin e tyre”, tha ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendos ndërprerjen e bojkotit në GJKKO, avokatët rikthehen në seanca nga e hëna

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka vendosur ndërprerjen e bojkotit në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për rrjedhojë, avokatët do t’u rikthehen...
15:22 | 30/10/2026

Mbi 56 kg kanabis e ndarë në 10 thasë, arrestohen 4 persona në Shkodër! Procedohet edhe një tjetër

Katër persona janë vënë në pranga nga policia në Shkodër. Policia gjithashtu bën me dije se është proceduar edhe një person tjetër i cili është...
14:12 | 30/10/2026

Papa Leoni XIV pret në Romë ipeshkvijtë dhe administratorët dioqezanë të Shqipërisë

Të gjendur në Romë për vizitën Ad Limina Apostolorum, një vizitë periodike që ipeshkvijtë e çdo vendi zhvillojnë në Vatikan, një herë në pesë vjet,...
14:07 | 30/10/2026