Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. Vendimi u mor pas konsultimeve me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Partisë Socialdemokrate dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Sipas njoftimit të Presidencës, partitë e tjera të opozitës nuk iu përgjigjën ftesës së kreut të shtetit për të marrë pjesë në konsultime dhe nuk paraqitën asnjë preferencë për datën e zgjedhjeve.
Kodi Zgjedhor parashikon që zgjedhjet vendore të zhvillohen gjatë periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela nga 15 prilli deri më 15 maj.
Gjatë konsultimeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, propozoi datën 9 maj, duke argumentuar se caktimi i saj në ditën e fundit të kalendarit zgjedhor i jep më shumë kohë institucioneve për përgatitjet dhe marrjen e masave zbatuese. Të njëjtën datë preferoi edhe Partia Socialdemokrate.
Presidenca bëri të ditur se subjektet politike të përfshira në konsultime u treguan të hapura për secilën datë, ndërsa kreu i shtetit vendosi t’i japë forcë juridike datës 9 maj 2027.
Në njoftimin e tij, Begaj u bëri thirrje partive politike të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa, platforma dhe kandidatë, si dhe të garantojnë një proces konkurrues, të drejtë dhe në përputhje me kuadrin ligjor. Ai kërkoi gjithashtu bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zhvillimin e një procesi që përmbush standardet demokratike.



