Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës Kombëtare të Avokatisë vendosi të premten me 30 tetor që ndëpresë bojkotin e seancave në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, GJKKO, të filluar dy muaj më parë për të kundërshtuar rregulloren e re të kësaj gjykate që ju ndalon përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjyqit.
Pas mbledhjes së këshillit të premten, kryetari i Dhomës së Avokatisë, Maksim Haxhia bëri me dije se pasi iu ishte vendosur në dispozicion vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit për masën që pezullon bojkotin, u vendos që të zbatohet ai vendim. Këshilli vendosi që bojkoti do të ndërpritet duke filluar nga dita e hënë. Nga ana tjetër, këshilli ka përcaktuar grupet e punës për të kundërshtuar ligjërisht rregulloren e GJKKO dhe vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit.
Konflikti mes Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë nisi më 1 shtator, kur hyri në fuqi një rregullore e re për sigurinë dhe sjelljen në ambientet e gjykatës, e cila ndalon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit.
Po atë ditë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë i kërkoi gjykatës rishikimin e disa dispozitave të rregullores, veçanërisht atyre që kufizonin përdorimin e celularëve, me argumentin se ndalimi cenonte ushtrimin e profesionit të avokatit.
Në mungesë të një zgjidhjeje, me dy vendime të mëvonshme Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë vendosi bojkotin pa afat të proceseve gjyqësore publike në GJKKO, si dhe ato për caktimin, zëvendësimin ose shuarjen e masave të sigurimit dhe çështjet e lidhura me amnistinë.
GJKKO thirri në cilësinë e mbrojtësve të të pandehurve edhe avokatët e Zyrës së Ndihmës Juridike Falas pranë Ministrisë së Drejtësisë, por ata nuk u paraqitën me argumentin se i qëndronin bojkotit. Në këto kushte, trupi gjykues që po shqyrton çështjen penale në ngarkim të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, vendosi që të vijojë gjykimin pa avokatë, me argumentin se ishin shteruar gjithë mjetet ligjore.
Një kërkesë padi dhe kërkesë për sigurim padie e depozituar nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion kundër bojkotit, solli dy ditë më parë vendimarrjen e Gjykatës Administrative të Apelit, që pezulloi bojkotin.
Gjykata e Posaçme caktoi gjoba ndaj avokatëve që nuk paraqiteshin në seanca gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, avokatët u kërcënuan nga Këshilli i Dhomës së Avokatisë me heqje license nëse paraqiteshin në seanca. Rreth një javë e gjysmë më parë, Komiteti Disiplinor pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë vendosi t’i pezullojë licensën për një periudhë dyvjeçare avokatit Ervin Beqiri, pasi u konstatua se ai kishte marrë pjesë në një seancë për zëvendesim mase sigurie.






